LAJMI I FUNDIT:

Call Center, mundësi e mirë për punësim

Call Center, mundësi e mirë për punësim

Bizneset të cilat ofrojnë shërbime të “Call Center”, janë duke u rritur dita ditës, ato po dëshmohen një mundësi e mirë për punësimin e të rinjve. Jo vetëm të papunët por edhe të sapo diplomuarit po e gjejnë vetën në to. Sipas statistikave të MTI-së nuk ka numër të madh të Call Center të regjistruar.

Nuk ka qytet të Kosovë, në të cilin nuk ka biznese që ofrojnë shërbime për Call Center. Këto shërbime po ofrohen për kompani të ndryshme në vendet e Bashkimit Europian.

Kryesisht bizneset e Call Center ofrojnë shërbime për kompanitë gjermano folëse në Gjermani dhe Zvicër, por ka kësi lloj biznesi që shërbimet e tyre i ofrojnë edhe për kompanitë në gjuhën italiane.


Hapja e një numri të madh të bizneseve të Call Cener është edhe një mundësi e mirë për punësimin e të rinjve, të cilët pasi përfundojnë studimet e larta nuk kanë mundësi për t’u punësuar.

Por, sipas njohësve të fushës së ekonomisë, Qeveria e Kosovës, duhet t’i përkrah bizneset me këto lloje shërbimi nëpërmjet lehtësirave fiskale për shkak se këto biznese po rrisin numrin e të punësuarve, sidomos tek të rinjtë, ku papunësia në vendin tonë është më e theksuar. Edhe kompanitë dhe platformat të cilat merren me publikimin e konkurseve për punë tregojnë se konkurset për agjentë në Call Center, dominojnë në publikimet e tyre.

Pak biznese të regjistruara

Vjollca Dibra, këshilltare për media dhe komunikim në Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka thënë për revistën “Ekonomia” se deri më tani janë rreth 70 biznese, të cilat ushtrojnë veprimtarinë e shërbimeve respektivisht të Call Center. Por, ka një numër të këtyre bizneseve që punojnë në të zezën për shkak se kryejnë shërbime për kompani jashtë vendit.

“Deri më tani sipas statistikave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, në Kosovë janë të regjistruar gjithsej 66 biznese me këtë veprimtari. Deri sa vetëm gjatë këtij viti, 35 biznese janë regjistruar me veprimtarinë e Call Center”, ka thënë Dibra.

Por, ajo nuk ka dhënë statistika se sa biznese të Call Center e kanë shuar veprimtarinë e tyre, e po ashtu nuk kanë ndonjë arsye specifike se përse hapen kaq shumë qendra. “Mund të këtë shumë, por një prej tyre është bisedat e lira telefonike të cilat i ofrojnë këto qendra të thirrjeve”, ka thënë Vjollca Dibra, këshilltare në MTI.

Dominojnë konkurse për Call Center

Shpend Sadiku nga portali Telegrafi, ka thënë për revistën “Ekonomia” se si portal në vitin 2012 kanë hapur një platformë për publikimin e konkurseve për punë.

Nga viti 2012, sipas tij, deri më tani numri i publikimeve të konkurseve për punë është gjithnjë në rritje.

“Për këto dy vitet e fundit vlen te veçohet se ka një ekspansion te konkurseve nga sektori Call Center. Relativisht çdo dite ndodh qe te këtë te paktën nga një konkurs te për Call Center. Vetëm gjate muajit qershor te këtij vitit janë shpallur rreth 25 konkurse për pune për këtë sektor”, ka treguar Sadiku.

Ai thotë se edhe numri i kandidatëve ka shënuar rritje. “Numri i kandidateve të cilët kanë konkurruar përmes platformës sonë gjatë këtij muaji është afër 120. Ky numër besohet se është edhe më i madhe për arsye se gjatë përshkrimit të punës, kompanitë e vendosin emailin e tyre zyrtare si mundësi te vetme për aplikim”, ka treguar Sadiku, duke shtuar se kërkesat e kompanive janë kryesisht për tregun gjerman folës. “Me kalimin e kohës kompanitë kanë filluar edhe të ofrojnë paga ma të mira për të joshur tregun përkatës”, ka thënë Shpend Sadiku nga Portali Telegrafi.

Mundësi për studentët

Ndërkaq Rozafa Maloku, është një studente e cila ka magjistruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, por në mungesë të gjetjes së një punë stabile për çfarë edhe është shkolluar, ajo ka vendosur të punësohet në një Call Center, si agjente.

“Pas përfundimit të fakultetit kam konkurruar në shumë konkurse por nuk kam arritur që të punësohem edhe për çfarë jam shkolluar. Kam punuar në profesion vetëm për një kohë të shkurtër. Pastaj në mungesë të një vendi të punës jam detyruar që të kërkojë për punësim edhe në Call Center, nuk është puna të cilën e kam ëndërruar, por aktualisht më pëlqen për shkak se nuk po arrijë të punojë në profesion. Puna në Call Center është e mirë edhe me pagesa jam e kënaqur aktualisht”, ka thënë Maloku për revistën “Ekonomia”.

Ajo tregon se Call Center ku punon ofron shërbime për një kompani të sigurimeve në Zvicër në gjuhën italiane.

Ndërkaq, hulumtuesi i avancuar në Institutin “RIINVEST” Visar Vokrri, ka thënë për revistën “Ekonomia” se numri në rritje i bizneseve që ofrojnë shërbime “Call Center” i ka kontribuar sadopak zbutjes së papunësisë, sidomos tek të rinjtë në Kosovë.

Këto lloj biznesesh, sipas tij, janë kryesisht karakteristikë e vendeve në zhvillim dhe me të ardhura të ulëta. “Kompanitë e mëdha globale zakonisht përdorin fuqinë punëtore të lirë në këto vende meqenëse ofrimi i shërbimeve “Call Centers” nuk është domosdoshmërisht i lidhur me lokacionin ku këto kompani operojnë. Kosova mbetet atraktive për këto lloj shërbimesh për shkak të fuqisë së lirë punëtore por edhe përparësive tjera krahasuese që ka si p.sh. popullsia mjaft e re dhe një rini që flet gjuhë të huaja”, tha Vokrri.

Meqenëse norma e papunësisë në Kosovë mbetet alarmante, vëmendje e posaçme duhet t’i kushtohet sektorëve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në punësimin e të rinjve.

“Andaj, Qeveria e Kosovës duhet t’i ofrojë përkrahje këtyre sektorëve përmes lehtësirave fiskale apo stimujve tjerë që ndikojnë në krijimin e vendeve të reja të punës”, ka thënë Visar Vokrri nga Instituti “RINVEST”.

Ndryshe papunësia në Republikën e Kosovës sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), së paku zyrtarisht shkon mbi 30 për qind. /Revista Ekonomia/