Cakolli: Fletvotimi ku nuk përputhet kodi, duhet shpallur i pavlefshëm

Analisti Eugen Cakolli ka reaguar pas raportimeve për parregullsi në procesin e numërimit të votave në Mitrovicë, duke theksuar se çdo fletëvotim që nuk përputhet me kodin e vendvotimit duhet shpallur i pavlefshëm, por se problemi është shumë më i thellë se një “gabim teknik”.
Ai thotë se thelbi qëndron te përmasat e çështjes – sa fletëvotime janë prekur, në cilat vendvotime dhe nëse ka pasur ndikim në rezultatet përfundimtare.
“Pa këtë informacion, askush – e sidomos KQZ-ja – s’mund të flasë për integritet të paprekur të zgjedhjeve”, ka shkruar Cakolli.
Ai shtoi se “sqarimet” e CETIS-it dhe KQZ-së e bëjnë rastin edhe më të paqartë, pasi mungon çdo informacion zyrtar mbi shtrirjen reale të problemit, ndërsa përgjegjësia po bartet te kompania CETIS, e cila sipas tij ka krijuar më shumë konfuzion sesa sqarim.
“Nëse as kompania nuk e di sa dengje dhe fletëvotime janë prekur, si mund të garantohet integriteti, kur ende rreth 75 për qind e vendvotimeve të Mitrovicës nuk janë procesuar dhe fletëvotimet e dyshimta nuk janë verifikuar fizikisht?”, ka pyetur ai.
Sipas Cakollit, çdo deklaratë që e kufizon problemin te “gabimi teknik” është në këtë fazë vetëm spekulim.
“E në një proces zgjedhor, s’ka më keq se kur një ‘gabim teknik’ trajtohet si rrezik politik që duhet menaxhuar disi, në vend se si problem që duhet hetuar deri në fund”, ka përfunduar ai.

















































