Bukuri dhe kreativitet nëpërmjet fotografisë së Enis Abdullahut

Enis Abdullahu është ndër fotografët më të angazhuar, i cili me punën e tij dinamike, atraktive dhe intensive, tashmë disa vjet e entuziazmon skenën e modës të vendit tonë.
Ky artisti i talentuar me fotografitë e tij dëshiron të nxjerrë në pah bukurinë dhe kreativitetin e mendjes, ëndrrat dhe nostalgjinë.
Fotografitë e tij flasin vetvetiu, ndërkaq vëzhguesit i është lënë që t’i përjetojë në mënyrën e vet duke ia provokuar fantazinë dhe duke e nxitur që të mendojë.
Entuziazmi i madh, spiritualiteti dhe talenti i Enis Abdullahut janë vetëm disa nga karakteret e këtij krijuesi të ri. Ne, në një pasdite, e ndamë nga aktivitetet për t’ia bërë disa pyetje për Telegrafin.
Enis, si e kujtoni kohën kur ju filluat të merreni me fotografi, pra, si nisi kjo “aventurë”? Që nga fëmijëria ime, disi më ka pëlqyer fotografia; çdo ditë vëzhgoja shkrepjet e një fotografi të qytetit tim, i cili kapte momente dhe fytyra të njerëzve, ndërsa më vonë i ekspozonte në dritaret e studios së tij...sa ia kisha zili. Në shtëpi, unë isha ai që vrapoja pas aparatit dhe nuk kisha dëshirë të jem në anën tjetër të objektivit. Më vonë, gjatë kohës kur vëllai ishte për studime në Tiranë, më bëri një dhuratë aparatin tim të parë profesional. Nga ai moment, fillova aventurën time me fotografinë.
Kush t’i ka vlerësuar fotografitë e bëra në fillimin e karrierës suaj si fotograf? Siç e thash, vlerësuesi im i parë ishte vëllai, pastaj shokët dhe rrethi me komentet e tyre pozitive që më shtynë tutje. Por, nuk mund ta harroj pa e cekur personin kryesor që më mbështeti - babanë me shpirtin e tij artistik.
Në çka mbështetesh kur fotografon? Për shumicën edhe një fije kashte u është shpëtim i syve vetjakë. E vështroj këtë si proces, marr parasysh të gjithë parametra të cilët i kam, përcaktoj se çfarë dëshiroj të arrij dhe pastaj ia filloj. Është shumë me rëndësi që kur fotografoni dikë e kuptoni ku është kufiri deri ku mund të shkoni. Mbështetem në analizë, dritë, komunikim dhe post-produksion, d.m.th. në atë proces timin, të cilin ia kam imponuar vetes si diçka në çka mbështetem. Shpesh kjo është edhe improvizim.
Cila është gjëja më e bukur e të qenit fotograf? Kjo përgjigje kap një spektër të gjerë, por unë do ta përmendi vetëm një që më mbanë të lidhur për fotografinë - kapja e momentit dhe mbajtja e tij përgjithmonë.
Ajo që bie në sy në punët tuaja është një paraqitje "e fortë dhe delikate" e bukurisë femërore. Çfarë të ngacmon te ky sensualitet femëror? Në fokus kam paraqitjen e bukurisë femërore dhe atë mundohem ta kombinoj, jo vetëm me bukurinë fizike, por edhe sensualitetine tyre, që rezulton me një rrezatim dydimensional në fotografitë e mija.
Shumë femra të bukura dhe me nam, tashmë kanë kaluar para aparatit tënd. Thjeshtësia mund të sjellë një fotografi më të bukur? Thjeshtësia dhe spontaniteti sjellin fotografi të bukura. Gjatë fotografimit, unë dëshiroj të kapi momentin dhe të bukurën. Kjo që rezultoi me famë për vajzat në anën tjetër të objektivit, ishte vetëm një kënaqësi shtesë për mua.
Çfarë mund t'i ofrojmë ne botës…A mendoni se se ne kemi ende bukuri për "të ofruar"…? Gjithsesi! Secili individ është i veçantë dhe na takon neve si fotografë ta sjellim në pah atë bukuri. Gjithashtu çdo gjë që na rrethon, natyra – është gjithnjë në lëvizje, në transformim e sipër, dhe gjithnjë ekziston dikush apo diçka e bukur që ia vlen ta fotografosh.
Sa shpërblehet puna artistike dhe sa çmohet krijimtaria artistike, sa është interesimi për artin e bukur? Puna dhe krijimtaria artistike nuk vlerësohen shumë, por ka shenja që gjërat po ecin në drejtimin e duhur, ku arti po pëlqehet dhe interesimi për të çdo ditë është më i madh nga ana e brezit te ri.
Përpos kënaqësisë që ju ofron realizimi i fotografive, cilat janë vështirësitë e mundshme të cilat ju përcjellin në këtë profesion? Figurativisht do ta them me “zë” - Lëvizja e lirë është pengesa kryesore. Pamundësia e pjesëmarrjes nëpër ngjarje të ndryshme të fotografisë nëpër Evropë e kudo tjetër. /Telegrafi/







































































