Zakonet e vjetra vështirë se harrohen.
Një grua nga Mbretëria e Bashkuar u bë virale në rrjetet sociale kur ndaloi në një pikë karburanti në fillim të muajit për ta mbushur automjetin e saj elektrik Tesla Model Y, transmeton Telegrafi.
Siç raportohet, 22-vjeçarja Daniell Wright u filmua kur ndaloi në një pikë dhe më pas po përpiqej furishëm të gjente kapakun e karburantit të automjetit të saj.
Happens from time to time. Habits die hard.
— Elon Musk (@elonmusk) May 7, 2023
Me grykën e karburantit në dorë, ajo sillej vërdallë për ta gjetur kapakun për ta mbushur automjetin e saj, dhe hoqi dorë vetëm kur njerëzit i thanë vazhdimisht se ishte një makinë elektrike.
Videoja u bë menjëherë virale, dhe kishin shpërthyer komente të shumta ‘online’, por pati edhe disa të tjerë që thoshin se videoja është inskenuar.
Për këtë video, madje reagoi edhe shefi ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, i cili theksoi se “kjo ndodh herë pas here” dhe “se zakonet vështirë se harrohen”.
Duke pasur parasysh gjithë vëmendjen, videoja mori më shumë se 40 milionë shikime, pronarja e hutuar e Model Y ndjeu nevojën të shpjegonte pse u përpoq ta mbushte EV-në e saj me gaz.
Duke folur për Daily Star, Danielle Wright e cila thotë se është krijuese kontenti, shpjegoi se ishte shumë e lodhur atë ditë kur u bë videoja. Ajo shtoi se e kishte të re automjetin dhe se ra preh e zakoneve të vjetra.
“Të them të drejtën, nuk e dija se çfarë po bëja, ishte fundi i një dite të gjatë dhe makina është e re. Thjesht, ndalova në pikën e karburantit duke menduar për ëmbëlsirat që do të blija, në vend të asaj që automjeti nuk kishte nevojë për benzinë”, shpjegoi britanikja.
Wright gjithashtu tha se ishte e mllefosur prej disa komenteve, ndonëse e pranoi se ishte një “gabim i turpshëm”. Ajo shtoi se ishte edhe më e mllefosur nga disa komente që thoshin se makina nuk ishte e saj.
“Ata madje thoshin që nuk është makina ime, dhe që kisha më shumë para se logjikë. Kam fituar çdo qindarkë për ta blerë këtë dhe më pëlqejnë veturat. Është me të vërtetë një ëndërr e realizuar të posedosh një Tesla”, tha Wright.
Gruaja tha se ishte e gëzuar për faktin se Musk kishte reaguar në mënyrë pozitive.