Fotografitë nga brenda anijes së lundrimit Diamond Princess, ku janë vendosur disa që dyshohet se janë prekur nga coronavirusi janë shfaqur pasi zyrtarët japonezë vendosën në karantinë anijen më herët këtë mëngjes.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, katër mjekë të veshur me rroba mbrojtëse dhe maska mund të shihen të ulur në katin e gjashtë, mbi një kuti të gjelbër të ndihmës së parë duke diskutuar situatën.
Ndërkohë, imazhe të tjera tregojnë një grup mjekësh në maska që mbajnë çanta dhe dokumente ndërsa shkojnë derë më derë.
Siç bëhet e ditur, mjekët po testojnë shëndetin e të gjithë 2.666 pasagjerëve dhe 1.045 pjesëtarëve të ekuipazhit në anije, për virusin vdekjeprurës.
Anija e izoluar është vendosur në portin e Yokohama afër Tokios, pasi një njeri që hipi në anije mbi një javë më parë u diagnostikua me sëmundjen.
Kompania e lundrimit Carnival Japan tha se njeriu 80-vjeçar fluturoi për në Japoni dhe hipi në anije në 20 janar dhe u nis për në Hong Kong më 25 janar.
Anija e lundrimit do të vonohet për të paktën 24 orë për t’i dhënë autoriteteve kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar shëndetin e pasagjerëve dhe të vendosët nëse do t’i lejojë ata të largohen nga anija.
Pasagjerët kishin shpresuar për një pushim relaksues 14-ditor i cili ishte menduar për Kagoshima, Japoni, Hong Kong, Kinë, Da Nag dhe Halong Bay në Vietnam, Keelung, Tajvan dhe Naha, Japoni.
Anija ka qenë në veprim që nga viti 2004 dhe “krenohet” me një kazino, një dyqan, galeri arti dhe pishinë.
Ajo ka katër restorante që shërbejnë një shumëllojshmëri të ushqimeve, dy bare të ndryshme dhe një klub nate.
Japonia ka konfirmuar 20 raste në vend të coronavirusit, me 17 nga të infektuarit që vijnë nga Wuhan.
Numri i të vdekurve në territorin e Kinës arriti në 420 me mbi 20,000 raste të konfirmuara globalisht. /Telegrafi/