Pedagogu dhe gazetari Zylyftar Bregu ka komentuar mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Italisë, e cila u zhvillua me synimin për forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Bregu thekson se takimi, i cilësuar nga kryeministri Edi Rama si “një ditë historike” në marrëdhëniet dypalëshe, është një hap pozitiv me rëndësi simbolike dhe politike, por që, sipas tij, kërkon më shumë transparencë.


“Mbledhja e përbashkët e dy qeverive është e rëndësishme dhe pozitive në simbolikën e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve. Italia është një partner i rëndësishëm ekonomik, një avokate në integrimin e Shqipërisë në BE. Italia ka interes që Shqipëria të jet stabile, e fortë ekonomikisht dhe të mos ketë trauma sociale sepse rrezikon veten e vet. Ka interes që krimi i organizuar të luftohet sepse mund të eksportohet atje.

Mendoj se marrëveshjet nuk janë 15 apo 16, janë vetëm 6, të tjerat janë memorandume dhe protokolle.

Marrëveshjet kanë nevojë për transparencë sepse duhet parë çfarë interferon kjo marrëveshje në raportet e Shqipërisë me NATO-n”, tha ai.

Bregu shtoi gjithashtu se thellimi i bashkëpunimit me Italinë në fushën e mbrojtjes mund të “ngjallë xhelozi” në marrëdhëniet me Greqinë.

“Nëse marrvëshja me Italinë na shton pavarësinë në fushën e mbrojtjes, mund të shkaktojë xhelozi te fqinji tjetër, që është Greqia. Ka nevojë për transparencë për atë se çfarë fitojmë dhe çfarë rrezikojmë nga këto marrëveshje”, tha Zylyftar Bregu në A2 CNN.