Brahimaj: Kurti po e zvarrit konstituimin e Kuvendit me emra jo konsensualë
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lahi Brahimaj ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar për tentime të qëllimshme për të zvarritur procesin e konstituimit të institucioneve përmes propozimit të kandidatëve, që sipas tij nuk kanë mbështetjen e opozitës.
“Po vazhdojnë me emra jo konsensualë, por provojnë emra që me ble kohë, emra që nuk janë të kapshëm për opozitën”, ka deklaruar Brahimaj.
Ai shtoi se qëllimi i Kurtit është vonesa, jo bashkëpunimi.
“Qëllimi i Albin Kurtit është që nga dita e parë: blerje e kohës, zvarritje, ofendim ndaj institucioneve. Çdo vendim që është kundër tyre, ata dalin dhe e ofendojnë”, theksoi ai.
Brahimaj konfirmoi qëndrimin e AAK-së se nuk do të përkrahin asnjë kandidat për kryetar Kuvendi që ka qenë pjesë e qeverisë.
“Do të vazhdojnë me emra të njëjtë. Sigurisht, ashtu siç kemi thënë, cilin do nga emrat që nuk janë në qeveri do të jetë një emër që do ta votojmë”, përfundoi ai./Telegrafi/






























