LAJMI I FUNDIT:

Bosnja e Kosova me marrëveshje bashkëpunim ekonomik

Bosnja e Kosova me marrëveshje bashkëpunim ekonomik

Oda Ekonomike e Federatës së Bosnjës e Hercegovinës për ndërmarrësi dhe Aleanca Kosovare e Biznesit nënshkruaj marrëveshjen e parë të ndërsjellët për bashkëpunim ekonomik në mes bizneseve të dy shteteve.

Mensur Bektic, Kryetar i Odës tha se është kënaqësi në këtë Forumin Ekonomik Ndërkombëtar që po mbahet në Sarajevë, po marrin pjesë delegacione të katër shteteve e në mesin e tyre edhe një delegacion i Kosovës.

Ai tha se me AKB-në edhe pse nuk njihen një kohë të gjate për së afërmi informacionet nga kanë drejtuar që ne të zgjedhim si partner kryesor për Ballkanin Perëndimor e sidomos për Kosovën Shqipërinë dhe Malin e Zi si organizatë me vite ka tentuar që të krijon ura të bashkëpunimit në mes të bizneseve pa dallim etnie apo përcaktim fetar.


“Sot është moment i veçantë ku fillimi I këtij Forumi ndërkombëtar po fillon me këtë nënshkrim të kësaj marrëveshje në mes dy organizatave tona biznesore”, tha ai.

Kurse Agim Shahini, Kryetar i AKB-së tha se Kosova asnjëherë nuk ka qenë vend që ka krijuar barriera ndonjë shteti tjetër përkundrazi edhe në disa raste në dëm të ekonomisë vendore por për hir të integrimit të Kosovës ka nënshkruar shumë marrëveshje bilaterale dhe ndërkombëtare me shtete të ndryshme si dhe me Bosnjën siç është Marrëveshja për Tregti të Lirë CEFTA.

“Kjo marrëveshje është hap konkret drejt përmirësimit të ambientit biznesor në mes dy shteteve tona edhe pse Bosnja dhe Hercegovina padrejtësisht I ka vënë regjim të vizave për qytetarët dhe bizneset e Kosovës dhe kjo e ka vështirësuar qarkullimin e lirë të qytetarëve, mallrave dhe kapitalit dhe për këtë arsye në shkëmbimet tregtare kemi rënie të dyanshme kurse me Serbin ka rritje te importit si zëvendësim i disa produkteve nga Bosnja”, theksoi ai.
Është për tu habitur , tha Shahini se pse Bosnja vepron kështu kur me këtë shtet ka pasur asnjëherë konflikte.

“Barrierat ne mes dy shteteve tona më shumë janë në kokat e vendimmarrësve se sa në realitet ne mes popujve dhe bizneseve. Bizneset nuk njohin kufij por ato luftojnë gjithmonë që të qarkullojnë lirshëm dhe të plasojnë produktet e tyre tek konsumatorët e rinj. Kosova po e zhvillon industrinë përpunuese dhe prodhuese e që për tregun e Bosnjës kanë potencial dhe interesim te prodhuesve kosovar për te marre treg këtu”.

Kjo marrëveshje u nënshkrua edhe në prani të Amir Zukic, Ministër për zhvillim i Federatës se Bosnjës e Hercegovinës dhe të disa ambasadorëve nga Kroacia dhe Sllovenia si dhe BE-së.

Ky promovim i Kosovës po realizohet në kuadër të Javëve të e Biznesit Kosovar 2016 dhe do të vazhdoj edhe në ditën e nesërme në Forum me takime të ndryshme bilaterale me delegacione nga shtetet siç janë: Bosnja dhe Hercegovina, Sllovenia, Kroacia dhe Republika Srpska dhe të pranishëm janë më shumë se 100 pjesëmarrës në Sarajevë. /Telegrafi/