Site icon Telegrafi

Bombola e gazit merr flakë, alarmon banorët e një ndërtese në lagjen “Mati 1” në Prishtinë (Foto)

Një bombolë gazi ka marrë flakë në një banesë të një ndërtese në rrugën “Beqir Kastrati” në lagjen “Mati1” në Prishtinë.

Siç ka bërë të ditur një lexues i Telegrafit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, dhe ndonëse nuk ka shpërthyer, bombola ka ngjallur frikë tek banorët.

“Policia dhe zjarrfikësit janë vonuar në vendin e ngjarjes. Ata kanë ardhur me rreth 30 minuta vonesë – kur gjithçka kishte përfunduar”, ka thënë lexuesi i Telegrafit.

Ai gjithashtu ka thënë se njëri nga banorët, në tentim për ta larguar bombolën që përdorej për ngrohje, ka pësuar djegie në dorën e tij.

Një rast të tillë e ka konfirmuar për Telegrafin edhe Policia e Kosovës.

“Rreth orës 22:00 Policia e ka marrë informatën se dyshohet për një bombolë gazi të shpërthyer. Nuk ka pasur persona të lënduar. Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe gjithçka është nën kontroll”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci. /Telegrafi/

Exit mobile version