Bllokohen 30 mjete lundruese, 12 drejtues gjobiten për rrezikim të pushuesve

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë ndërmarrë një fushatë intensive monitorimi përgjatë vijës bregdetare dhe ujërave të brendshme nga Ksamili deri në Koman, në kuadër të operacionit “SIGURIA DETARE”.
Si rezultat, gjatë kësaj jave janë bllokuar 30 mjete lundruese për shkelje të rregullave të sigurisë detare.
Sipas njoftimit zyrtar, 12 nga këto mjete janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke vënë në rrezik jetën e pushuesve.
Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masa administrative në vlerën e 100,000 lekëve secili.
Në total, gjatë javës janë kontrolluar 431 mjete lundruese, nga të cilat u bllokuan:
18 jet ski
7 skafe
3 gomone
2 varka metalike me motor uji të instaluar
Bllokimi i mjeteve ka ardhur si pasojë e lundrimit jashtë zonave të miratuara, mungesës së dokumentacionit përkatës apo shkeljes së perimetrit të sigurisë.
Po ashtu, nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 7 raste shpëtimi, duke i ardhur në ndihmë 13 shtetasve, shqiptarë dhe të huaj, të cilët ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet e tyre lundruese.
Policia Kufitare bën apel për respektimin e rregullave për përdorimin e mjeteve lundruese, veçanërisht shmangien e lundrimit në zonat e ndaluara, pajisjen me dokumentacionin përkatës dhe mjetet e shpëtimit.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve dhe pushuesve të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave të sigurisë detare në numrin falas 112, duke garantuar një reagim të menjëhershëm dhe marrjen e masave ndaj çdo shkelësi.




















































