Shahini ka bërë të ditur se qëllimi i saj është punësimi i banorëve të kësaj komune. “Po të ketë zhvillim më të hovshëm ekonomik në këtë komunë, do të punësoheshin edhe më shumë qytetarë. Në Gjakovë ‘Bursa e Punësimit’, do të mbahet me 22 maj dhe do të jenë pjesëmarrëse jo vetëm kompani nga ky regjion, por edhe nga Kosova e më gjerë”, ka thënë Shahini.
Kreu i Aleancës së Bizneseve të Kosovës ka thënë se vitin që shkoi nga “Berza e Punësimit” në Gjakovë, janë punësuar 129 veta , andaj ai shpreson se sivjet do të ketë edhe më shumë punësime.
“I ftoj bizneset e Komunës së Gjakovës, që të punësojnë secila nga një të papunë. Punësimi mbetet sfidë për vendin dhe institucionet tona dhe kjo po ecën në vendin e duhur në krahasim me vendet e regjionit”, ka pohuar Shahini, raporton Kosovapress.
Ndërsa, nënkryetari i Komunës Agim Koci, ka shprehur besimin e tij se “Berza e Punësimit” do të ketë sukses në Gjakovë.“Besoj se edhe bizneset gjakovare do të jenë më zemërgjerë dhe të punësojnë nga një të papunë. Duhet të jemi human me njerëzit me nevojë dhe të mobilizohemi me bizneset për punësime sa më të shumta”, ka thënë Koci.
Këtë vit “Berza e Punësimit” mbahet për herë të dytë në Gjakovë. /Telegrafi/