Gjatë të enjtes në rrugën “Bislim Bajgora” tek objekti “Proper Pizza” në Mitrovicë është bërë rikonstruimi i vendit të ngjarjes ku më 12.02.2021 kishte ndodhur një vrasje.
Udhëheqësja e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, Hateme Haxhaj – Haziri, në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se rikonstruimi ka nisur në orën 11:20, shkruan Telegrafi.
Haxhaj – Haziri ka thënë se në këtë rast janë të përfshirë dy të pandehur, L.S. dhe B.H.
Sipas saj, L.S. akuzohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ndërsa, B.H. akuzohet për “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe Mbajtje në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Rikonstruimi i vendit të ngjarjes është bërë sot me datë 21.11.2024, me fillim në ora 11:20 h, lidhur me lëndën penale PKR.Nr. 229/2021, ndaj të pandehurve: L.S, për shkak të veprave penale: -I- Vrasje e rëndë, nga neni 173, par.1, pika 1.5, të KPRK – së dhe –II- Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366, par.1, të KPRK – së në bashkim real me veprën penale nga pika 1 e dispozitivit të aktakuzës dhe B.H, për shkak të veprave penale: Vrasja e rëndë në tentativë, nga neni 173, par.1, pika 1.5, e lidhur me nenin 28, të KPRK – së dhe –II- Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366, par.1, të KPRK – së në bashkim real me veprën penale nga pika 1 dhe 2 e dispozitivit të aktakuzës, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë PP.I.nr 72/2021, të datës 29.10.2021, rast i cili ka ndodhur në Rr: “Bislim Bajgora”, përkatësisht tek subjekti afarist “Proper Pica”, me datë 12.02.2021”, ka thënë Haxhaj – Haziri.
Ajo ka thënë se rikonstruimi i vendit të ngjarjes është bërë sipas rekomandimeve që kanë dhënë Gjykata e Apelit e Kosovës në aktvendimin e datës 19.01.2024 ku sipas saj, me anë të cilit aktvendim kjo lëndë është kthyer në rivendosje.
Ajo ka bërë të ditur se qëllimi i rikonstruimit është ndriçimi i fakteve.
“Qëllimi i rikonstruimit është ndriçimi i fakteve të çështjes përkatësisht pozicionet e të pandehurve, të dëmtuarve dhe dëshmitarëve në natën kritike”, ka përfunduar udhëheqësja e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, Hateme Haxhaj – Haziri. /Telegrafi/