Presidenti amerikan Donald Trump do të vizitojë Lindjen e Mesme muajin e ardhshëm në një turne në tri vende, tha të martën zëdhënësja e tij Karoline Leavitt.

Ky do të jetë udhëtimi i tij i dytë jashtë vendit që nga kthimi në detyrë, pas pjesëmarrjes së tij të planifikuar në Vatikan për funeralin e Papa Françeskut të shtunën, përcjell Telegrafi.


Trump “do të udhëtojë në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nga 13 maji deri më 16 maj”, tha Leavitt në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, pa dhënë detaje.

Diplomati më i lartë i Arabisë Saudite zhvilloi bisedime në Uashington në fillim të këtij muaji për të hedhur bazat për një vizitë të Trump.

Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman premtoi në janar se do të “grumbullojë” 600 miliardë dollarë në tregtinë dhe investimet amerikane.

Njoftimi i së martës vjen pasi Shtëpia e Bardhë po ndjek bisedimet bërthamore me Iranin, ndërkohë që kërcënon me veprime ushtarake nëse nuk arrijnë një marrëveshje.

Në vitin 2018, Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje historike bërthamore e nënshkruar tri vjet më parë që lehtësoi sanksionet ndaj Iranit në këmbim të frenimit të programit të tij bërthamor.

Trump më herët të martën tha se kishte folur me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe se ata ishin “të bashkuar“ për çështjet përfshirë tregtinë dhe Iranin. /Telegrafi/