Site icon Telegrafi

Bebe Rexha në mesin e 100 këngëtareve më të mëdha të shekullit 21 sipas Billboard

Bebe Rexha (Foto: Neilson Barnard/Getty Images)

Bebe Rexha është zyrtarisht në mesin e 100 këngëtareve femra më të rëndësishme të shekullit 21, sipas një renditjeje të përpiluar nga Billboard.

Këngëtarja shqiptare e hiteve “I’m Good (Blue)”, “I’m A Mess” dhe “Meant to Be” është pozicionuar në vendin e 90-të në këtë listë prestigjioze, e cila përfshin emrat më të mëdhenj të muzikës në dy dekadat e fundit.

Për momentin, Billboard ka zbuluar vetëm pozitat nga 100 deri në 90, ndërsa pritet që në mesin e 100 emrave më të suksesshëm të shekullit të përfshihen edhe dy yje të tjera shqiptare me famë botërore, Dua Lipa dhe Rita Ora.

Ky vlerësim për Rexhën vjen në një moment kyç të karrierës së saj. Pas një dekade bashkëpunimi me Warner Records, këngëtarja vendosi të ndërpresë kontratën me këtë label dhe të ndjekë rrugën si artiste e pavarur. Kjo lëvizje e guximshme ka sjellë sfida të reja për Rexhën, por njëkohësisht edhe një liri të madhe artistike.

Gjatë viteve, Bebe Rexha ka arritur të krijojë një identitet unik në industrinë e muzikës pop, duke u njohur si një nga tekstshkrueset dhe vokalet më të fuqishme të kohës moderne. Ajo ka bashkëpunuar me artistë të mëdhenj si David Guetta, G-Eazy dhe Florida Georgia Line, duke sjellë disa nga hitet më të dëgjuara të viteve të fundit.

Bebe Rexha (Foto: Threads)

Renditja e saj në mesin e 100 këngëtareve më të mëdha të shekullit është një dëshmi e talentit, përkushtimit dhe ndikimit të saj në industrinë muzikore globale.

Pritet që Billboard të publikojë pjesën e mbetur të listës në ditët në vijim, ku do të zbulohet se cilat këngëtare do të jenë në mesin e dhjetë emrave kryesorë të shekullit 21. /Telegrafi/

Exit mobile version