BDI: Kongresi i partisë do të mbahet më 20 dhjetor

Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim mbajti sot mbledhjen e radhës, gjatë së cilës u zhvillua një diskutim i gjerë mbi zhvillimet aktuale politike në vend dhe mbi dinamikat që lidhen me proceset reformuese dhe sfidat me të cilat përballet vendi në këtë periudhë, thuhet në njoftimin e BDI-së.
"Anëtarët e Këshillit analizuan drejtimet strategjike të politikës së brendshme dhe të jashtme, duke riafirmuar rolin e BDI-së si faktor stabiliteti dhe partneri kryesor i proceseve euroatlantike.
Pjesa qendrore e mbledhjes iu kushtua përgatitjeve për Kongresin e V-të të Bashkimit Demokratik për Integrim, një moment i rëndësishëm për përcaktimin e drejtimit të mëtejshëm politik, organizativ dhe programor të partisë. U vlerësua se Kongresi përfaqëson një proces kyç për vizionin politik, forcimin e mekanizmave të brendshëm demokratikë dhe përgatitjen e strukturave për sfidat e reja.
Këshilli i Përgjithshëm miratoi edhe vendimin zyrtar për mbajtjen e Kongresit, i cili do të zhvillohet më 20 dhjetor 2025 në orën 13:00", thuhet në njoftim.
Nga atje shtojnë se në vijim, BDI do të intensifikojë aktivitetet organizative në të gjitha nivelet, me qëllim që Kongresi të zhvillohet me transparencë, efikasitet dhe përfshirje të plotë të delegatëve dhe forumeve të partisë./Telegrafi/



















































