LAJMI I FUNDIT:

Bashkëshortja e Shteklit në mesin e të akuzuarve për kontrabandën me vetura luksoze

Bashkëshortja e Shteklit në mesin e të akuzuarve për kontrabandën me vetura luksoze

Prokuroria ka njoftuar sot se ka ngritur kallëzim ndaj 18 personave dhe një salloni nga Koçani për kontrabandë me vetura luksoze të vjedhura.

Telma mëson se në mesin e të akuzuarve është edhe gruaja e Rade Trajkovski – Shtekli, shtetase serb me banim në Maqedoni. Shtekli, i cili është i lidhur me një sërë krimesh, ka shmangur dy tentativa për vrasje në gusht dhe tetor të këtij viti në të njëjtin lokacion – në East Gate Mall në Shkup.

Pesë nga të pandehurit janë punonjës të MPB-së – zyrtarë në Sektorin për çështje administrative në Shkup.


Të pandehurit akuzohen se nga viti 2020 deri në vitin 2022, me dokumente të falsifikuara, kanë importuar në Maqedoni makina luksoze, të vjedhura në vende të ndryshme të Evropës dhe kanë shmangur kontrollin doganor.

Prokuroria e RMV-së me aktakuzë kundër 18 personave për kontrabandë me vetura luksoze
Lexo po ashtu Prokuroria e RMV-së me aktakuzë kundër 18 personave për kontrabandë me vetura luksoze

Makinat i kanë regjistruar me numër të ndryshuar të shasisë me targa të RMV-së dhe më pas për të fshehur gjurmët i kanë rishitur disa herë në një kohë të shkurtër. Gjatë gjithë asaj periudhe punonjësit e MPB-së u kanë lëshuar targa dhe leje qarkullimi të pandehurve të tjerë në kundërshtim me ligjin për automjetet me dokumente të falsifikuara.

“Makinat, pjesa më e madhe e të cilave u bënë kërkime ndërkombëtare, janë blerë në vende të ndryshme evropiane dhe janë futur në vend me numra identifikimi të ndryshuar në shasi dhe me dokumente të falsifikuara për të fshehur origjinën. Më pas zyrtarët e akuzuar nga MPB-ja i kanë regjistruar veturat në bazë të dokumentacionit të rremë. Pas blerjeve dhe shitjeve të shumta reciproke, të pandehurit i kanë tjetërsuar përgjithmonë makinat, duke ua shitur ato personave fizikë dhe juridikë në vend”, thanë nga Prokuroria.

Nga hetimi rezultoi se kjo metodë është përdorur për të kontrabanduar 15 automjete me vlerë totale mbi gjysmë milioni euro.

Të pandehurit u arrestuan në verë. Policia tha në atë kohë se makinat ishin vjedhur në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Belgjikë, Luksemburg, Danimarkë, Gjermani, Suedi, Britani të Madhe dhe Bullgari.

Më pas disa nga mediat njoftuan se në mesin e të arrestuarve ishin bosët e klubeve të njohura të natës në Shkup, shefi i një këmbimore dhe pronari i një fabrike ëmbëlsirash.