LAJMI I FUNDIT:

Banka Botërore vlerëson dëmet e shkaktuara në konfliktin 13 mujor midis Izraelit dhe Hezbollahut

Banka Botërore vlerëson dëmet e shkaktuara në konfliktin 13 mujor midis Izraelit dhe Hezbollahut

Një seri sulmesh të rënda ajrore izraelite goditën periferitë jugore të Bejrutit, duke përfshirë një që shkatërroi plotësisht një ndërtesë në zonën Tayouneh.

Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima dhe ushtria izraelite kishte lëshuar një paralajmërim përpara sulmit.

Ata pretenduan se kishin shënjestruar “objektet dhe interesat e Hezbollahut”.


Bëhet e ditur se gjatë tetë javëve të fundit, sulmet ajrore izraelite kanë shkatërruar qindra ndërtesa dhe shtëpi në të gjithë Libanin, duke zhvendosur mijëra banorë.

Banka Botërore vlerësoi se konflikti i vazhdueshëm 13-mujor midis Izraelit dhe Hezbollahut ka shkaktuar mbi 8 miliardë euro dëme fizike dhe humbje ekonomike, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Sipas një deklarate të lëshuar të enjten, vetëm dëmi në infrastrukturë u vlerësua në 3.2 miliardë euro, ndërsa humbjet ekonomike arritën në 4.8 miliardë euro.

Të paktën 13 të vrarë në sulmin izraelit pranë Baalbek

Ekipet e shpëtimit vazhduan kërkimet për njerëzit e zhdukur të bllokuar nën rrënoja pranë Baalbek në Libanin lindor, pas sulmit ajror izraelit i cili vrau të paktën 13 persona.

Sipas Mbrojtjes Civile Libaneze, të gjithë ata që vdiqën në sulmin në Douris, një qytet afër Baalbek, ishin punonjës dhe vullnetarë nga shërbimet e tyre të urgjencës.

Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes Civile shprehu “keqardhje të thellë për sulmin e drejtpërdrejtë ndaj anëtarëve të saj.”

Ndryshe, Izraeli ka akuzuar Hezbollahun për përdorimin e ambulancave dhe objekteve mjekësore për të transportuar dhe ruajtur armë.

Ndërkohë, ushtria izraelite nuk ka komentuar mbi sulmin në qendrën e mbrojtjes civile në Baalbek. /Telegrafi/