Banka Botërore ka shkurtuar sërish projeksionet për rritjen ekonomike të vendit tonë, duke folur për një tkurrje prej 8.4% këtë vit. Raporti i fundit vlerëson se 40 % e shqiptarëve do të zhyten në varfëri.

Institucionet ndërkombëtare financiare e shohin shumë të zymtë situatën ekonomike gjatë këtij viti në vendin tonë. Pas FMN-së, edhe Banka Botërore  vlerëson se recesioni ekonomik do të jetë edhe më i fortë se parashikimi fillestar, prej 5%. Sipas Bankës Botërore, ekonomia shqiptare do të bjerë me 8.4% gjatë këtij viti.Recesioni do të ndikohet veçanërisht nga rënia e thellë e konsumit dhe tkurrja e eksporteve. Goditja e sektorit të turizmit shihet si një faktor kyç, ndërsa raporti vlerëson se bizneset e vogla, që përfaqësojnë mbi 90 për qind të firmave private, po kalojnë një situatë të brishtë dhe mundësia për financim është kufizuar ndjeshëm.Por si do të përkthehej në një rënie ekonomike kaq e fortë? Tkurrja -8.4% nënkupton më shumë individë të papunë dhe rritje të familjeve që jetojnë në varfëri. Banka konstaton se varfëria do të rritet me 5 pikë përqindje, çka do të thotë se rreth 40 % e popullsisë do të jetojë me më pak se 5.5 dollarë në ditë.Sipas Bankës Botërore nga 2 milion e 900 mije shqiptarë, 1 milion e 181 mijë do të jenë të varfër. Përkundër shifrës së recesionit, Banka Botërore parashikon edhe një rritje të borxhit publik në nivelin 81,3% dhe vështirësi të mëdha në mbledhjen e taksave në vijim.Pak ditë më parë, edhe BERZH mbajtur të pandryshuar pritshmërinë për ecurinë ekonomike të vendit në vitin 2020, për një rënie prej -9%, duke evidentuar se tërmeti I 26 nëntorit dhe pandemia kanë bërë që  Shqipëria të vuajë rënien më të madhe në rajon.