Rreth 80 prokurorë dhe personel të sistemit prokurorial janë angazhuar gjatë ditës për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave.

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se deri në mbylljen e procesit të votimit, janë ndaluar tre persona për dy raste të veprave penale kundër të drejtave të votimit.


"Rasti i parë është iniciuar në komunën e Fushë Kosovës, ku dy persona dyshohen për veprën penale ‘Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin’ sipas nenit 212 të Kodit Penal. Të dy janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit të shtetit," thuhet në njoftim.

Ndërkaq, rasti i dytë është në komunën e Klinës, ku një person dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘Cenim i fshehtësisë së votimit’ nga neni 215 i Kodit Penal. I dyshuari është ndaluar po ashtu për 48 orë.

Prokuroria ka theksuar se prokurorët do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave, deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale të numërimit.

"Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit falënderon qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin e treguar, me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e suksesshme të veprave penale gjatë këtyre zgjedhjeve," përfundon njoftimi. /Telegrafi/