Hetuesit gjermanë kanë konfiskuar 35.5 ton kokainë në atë që autoritetet thonë se është “kapja më e madhe e drogës së klasit A që Evropa ka parë ndonjëherë”.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, prokurorët në qytetin perëndimor të Dyseldorfit thanë se konfiskuan kokainën, të cilën e vlerësuan në 2.6 miliardë euro, vitin e kaluar pasi morën një informacion nga autoritetet kolumbiane.
Gjithsej 25 ton kokainë u gjetën në portin e qytetit verior të Hamburgut si pjesë e operacionit Plexus, tetë të tjera në portin holandez të Roterdamit dhe pothuajse tri në Kolumbi.
Droga ishte fshehur mes perimeve dhe frutave, thanë prokurorët.
Kështu, shtatë persona të moshës nga 30 deri në 54 vjeç u arrestuan javët e fundit dhe përfshijnë shtetas gjermanë, azerbajxhanas, bullgarë, marokenë, turq dhe ukrainas.
Identiteti i tyre nuk është bërë i ditur, në përputhje me ligjin gjerman të privatësisë.
Ata akuzohen për importimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine në Evropë midis prillit dhe shtatorit 2023.
Të pandehurit besohet se kanë pasur ende bashkëpunëtorë që dyshohet se jetonin në Turqi.
Dr Benjamin Limbach, ministër i drejtësisë në North Rhine-Westphalia, vlerësoi autoritetet për punën ekipore që rezultoi në “gjetjen më të madhe të kokainës në tokën evropiane”. /Telegrafi/