Nga: Matthew Wilson / BBC
Përktheu: Telegrafi.com
Krishterimi, budizmi, hinduizmi, zoroastrianizmi dhe mitologjia e grekëve të lashtë konsiderohen si fe krejt të veçanta, duke u bazuar kryesisht në dallimet mes tyre. Por, nëse i analizoni mirë, do të shihni se një simbol i lidh të gjitha ato. Fjala është për aureolën.
Aureola rreth kokës së një figure të shenjtë e shpreh lavdinë ose hyjnoren e tyre dhe mund të shihet në artin e gjithë botës. Ka shumë variante të saj, përfshirë aureolën me rreze (si në Statujën e Lirisë) dhe aureolën në flakë (që shfaqet në disa arte islamike – osmane, mogule dhe persiane). Por, më e dallueshme dhe më e përhapur është aureola rrethore.
Pse u shpik ky simbol?
Supozohet se fillimisht ka qenë një lloj zbukurimi i kurorës. Mund të ketë qenë simbol i një aure hyjnore që buron nga mendja e hyjnisë. Ndoshta ishte zbukurim i thjeshtë dekorativ. Një mendim interesant është se rridhte nga pllakat mbrojtëse të fiksuara në statujat e perëndive për të mbrojtur kokat e tyre nga jashtëqitjet e shpendëve.
Hulumtimi i funksionit të aureolës origjinale rrethore në artin fetar, na kthen në shekullin I p.e.s. Ajo nuk shfaqet në asnjë fe të mëparshme, por brenda disa shekujve bëhet pjesë e pandarë e ikonografisë fetare në gjithë Euroazinë.
Ka gjasa të ketë evoluar nga traditat e hershme të artit. Në Egjiptin e lashtë, zoti i Diellit, Ra, zakonisht shfaqej me një disk rrethor që e përfaqësonte diellin (megjithëse ishte mbi kokën e tij e jo pas). Ndërkohë, disa artefakte nga qyteti i Mohenjo-daro (në luginën e Indit), të krijuara në vitet 2000 p.e.s., shpërfaqin ato që duken si aura rrezatuese. Sidoqoftë, ato janë të gdhendura në trupat e figurave të shenjta në vend të kokave të tyre. Po kështu, në artin e Greqisë së lashtë ka paraqitje të herëpashershme të kurorave rrezatuese që rrethojnë kokat e heronjve mitologjikë për të treguar fuqitë e tyre hyjnore. Por, aureola dalluese rrethore është shpikje e mëvonshme dhe me sa duket rezultat i ideve unike fetare.
Shembujt më të hershëm të një aureole rrethore vijnë nga vitet 300 p.e.s,. në artin fetar të Iranit të lashtë. Duket se është konceptuar si tipar dallues i Mitrës, hyjnisë së dritës në fenë zoroastriane. Është thënë se koncepti i lavdisë hyjnore (i njohur si ‘Khvarenah’) në zoroastrianizëm është i lidhur ngushtë me shkëlqimin e diellit dhe se aureola ishte mjeti ilustrues i lidhjes së kësaj cilësie me Mitrën, ashtu siç kishte qenë për Ranë.
Sa i përket historisë së artit, shpejtësia e madhe me të cilën aureola e diskut u bart nëpër kultura, e bën veçanërisht të rëndësishëm si pjesë të ikonografisë fetare. Deri në vitet 100 p.e.s. – qindra vjet pas krijimit të tij – mund të shihej në vende të largëta, si qyteti tunizian i El Xhemit, qyteti turk Samosata dhe qyteti pakistanez Sahri-Bahlol. Deri në vitet 400, aureolat ishin pjesë e artit të krishterë në Romë dhe të artit budist në Kinë. Brenda pak shekujve u bë simbol universal fetar hyjnor në Euroazi.
Por, si u përhap ndikimi i aureolës në gjithë botën dhe midis feve?
Lëvizja fillestare e kësaj pjese të ikonografisë fetare në Lindje dhe në Perëndim, nis nga vendlindja e saj në Iran, përmes disa prej perandorive më të fuqishme të së shkuarës.
Në shekullin e parë, indoskitët (nomadët nga Irani) dhe kushansët (nga Baktria në Afganistan), pushtuan rajonet në juglindje – territoret që tani mbulohen nga Pakistani i sotëm, Afganistani dhe India veriore. Të dy perandoritë të cilat ishin të zhytura në historinë e lashtë kulturore iraniane, sollën monedhat që përfaqësonin Mitrën me aureolë. Ky zot rinor dhe tërheqës, me shkëlqimin e tij hyjnor, kishte ndikim në rritje te njerëzit rreth Hindu Kushit. Aq ndikim të madh kishte saqë ikonografia e Budës – madje edhe nga paraqitjet vizuale më të hershme të tij, të tilla si relika Bimaran (që mund të datojë nga fundi i shekullit të parë) – del me aureolë mitraike.
Ndërkohë, Mitra po fitonte gjithashtu zemrat e Perandorisë pushtuese Romake në Perëndim, në masën që mitraizmi evoluoi në fenë kryesore romake. Mitra më vonë ndikoi në ikonografinë e një hyjnie tjetër të Romës – Sol Invictus (“Dielli i papushtuar”). Të dy perënditë kombinuan fizikat mashkullore me fuqitë hyjnore, të lidhura me shkëlqimin dhe autoritetin diellor, dhe kështu u adhuruan nga anëtarët më të fuqishëm të shoqërisë, veçanërisht nga perandorët romakë. Konstandini (perandor në vitet 306-337) e njohu fuqinë ikonografike të aureolës, kështu që ai dhe pasardhësit e tij e përvetësuan dhe e përdorën në paraqitjet e tyre artistike.
Pastaj, me pranimin dhe rritjen e krishterimit në Perandorinë Romake, artistët filluan ta paraqesin Krishtin me aureolë – tashmë i konsideruar si simboli më i lartë i autoritetit hyjnor. Kjo risi në ikonografinë e krishterë ndodhi rreth viteve 300, më shumë se dy shekuj pasi ishte shfaqur në budizëm. Ishte sinjal i metamorfozës së krishterimit nga një fe e margjinalizuar në një strukturë zyrtare të pushtetit në Perëndim.
Aureola mbeti në artin e krishterë që atëherë, megjithëse ka përjetuar përshtatje përgjatë viteve. Ati Zot ndonjëherë mund të shihet me aureolë trekëndore, Krishti me aureolë në formë kryqi dhe shenjtorët me aureolë katrore.
Budizmi, xhainizmi dhe hinduizmi bashkëjetuan në mënyrë paqësore në Indi në mijëvjeçarin e parë, dhe të tri fetë këmbyen idetë dhe ikonografinë artistike, përfshirë aureolën. Paraqitjet më të hershme të skalitura të aureolave në artin fetar indian vijnë nga dy qendrat e mëdha të artit, Gandara (në kufirin mes Pakistanit dhe Afganistanit) dhe Matura (90 milje në jug të Delhit).
Në antikitetin e vonë dhe në Mesjetë, Gandara ishte qendër e një rrjeti të madh rrugësh tregtare që shtriheshin nga Kina në lindje e deri tek Mesdheu në Perëndim. Manastiret budiste u shfaqën përgjatë nyjave kryesore të rrugëve tregtare, për të shërbyer si versione fetare të karavansarajeve. Ato ofruan një vend për tregtarët, për të pushuar, për t’u lutur dhe për t’u shëruar, ndërsa u bënë trampolina nga të cilat budizmi u përhap në Kinë, ku artistët e përsëritën atë ikonografi fetare. Nga vitet 500, aureolat u shfaqën në art në Kore dhe në Japoni, duke dëshmuar ardhjen e budizmit edhe në këto rajone.
Përhapja e njëjtë ndodhi me hinduizmin që u shkoi në Azi përmes rrugëve tregtare, tokësore dhe detare, duke ndikuar te qasjet fetare dhe stilet artistike në Indonezi, në Malajzi dhe në territoret tjera të Azisë Juglindore.
Këto arterie të tregtisë të cilat e lidhnin Lindjen me Perëndimin në antikitetin e vonë dhe në Mesjetë, shpesh quhen “Rrugët e Mëndafshit” – sipas mallrave luksoze që barteshin në to. Por, tok me mallrat ekzotikë, këto rrugë bartën gjithashtu fe, njohuri dhe ikonografi.
Aureola rrethore është ikonë e këtij shkëmbimi dinamik të ideve që ekzistonin në të kaluarën e largët. E nisi jetën si simbol zoroastrian i hyjnisë diellore, por u përhap në gjithë Euroazinë nga perandoritë e lashta dhe nga rrjetet tregtare që lidhnin skajet e botës së njohur atëherë. Në shekullin XXI, është gjithashtu kujtesë e fuqishme e trashëgimisë së përbashkët kulturore të gjithë njerëzimit. /Telegrafi/