Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk është gati që procesin e regjistrimit të popullsisë ta nisë më 1 nëntor.
Ilir Berisha, ushtrues detyre i Kryeshefit të ASK-së, ka thënë se është angazhuar plotësisht për ta realizuar këtë projekt, por se ka mangësi.
Ndaj, në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Transfereve të premten, ai ka bërë të ditur se ka dërguar kërkesë në Qeveri që procesi i regjistrimit të popullsisë të shtyhet deri në prill të vitit 2024.
“Jemi vonë me testim e tabletave, kjo pasi kompania fituese ka dështuar që t’i sjellë tabletat më kohë, për këtë kemi shkëputur kontratën me atë kompani. Kemi nënshkruar marrëveshje me një kompani të re e cila brenda 14 dite do t’i sjell tabletat. Tabletat duhet të jenë se paku një muaj përpara datës së fillimit të regjistrimit, ne ende nuk i kemi.
Trajnimi do të bëhet me tableta, ne po tentojmë që regjistrimi të mbaroj në këtë vit. Sfidat janë këto, mungesa e tablateve, stafi në teren dhe një çështje tjetër që ne e kemi cekur vështirësitë në katër komunat veriore për shkak të ngjarjeve të 24 shtatorit, pasi sipas rekomandimeve në vendet ku situatat nuk janë të qeta, nuk preferohet të bëhet regjistrimi”, ka thënë Berisha.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.
“Fatkeqësisht, regjistrimi popullsisë po dështon të realizohet sivjet. Drejtuesit e Agjencisë së Statistikave e bën të qartë këtë sot në raportimin në Komisionin për Buxhet. Detajet do t’i bëj të ditura në ndërkohë”, ka shkruar ai në Facebook.
Qeveria me vendimin e fundit pati vendosur që procesi i regjistrimit të popullsisë të nisë më 1 nëntor dhe të zgjasë deri më 15 dhjetor. /Telegrafi/