Tre shtetas serbë arrestohen në Francë për vandalizimin e objekteve hebraike dhe Muzeut të Holokaustit në Paris.

Autoritetet franceze kanë arrestuar tre shtetas të Serbisë nën akuzën për vandalizim të disa objekteve me rëndësi historike dhe fetare në kryeqytetin francez.


Sipas një raportimi të publikuar sot nga gazeta prestigjioze Le Figaro, personat e dyshuar akuzohen se kanë spërkatur me bojë të gjelbër Muzeun e Holokaustit, tri sinagoga dhe një restorant në Paris.

Ngjarjet kanë ndodhur gjatë fundjavës, në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, kur u regjistruan incidentet e dyshuara të vandalizmit.

Të tre të dyshuarit u arrestuan më 2 qershor në qytetin Zuan-le-Pen, një vend turistik në jug të Francës, në rajonin e Alpeve Detare. Arrestimi erdhi pas një hetimi intensiv nga policia franceze, që përfshiu analizën e bisedave telefonike, si dhe shqyrtimin e pamjeve të marra nga kamerat e sigurisë në zonat ku ndodhën sulmet.

Në pamjet filmike të sigurisë, autoritetet identifikuan një person të veshur me të zeza që spërkatte murin e një ndërtese me bojë të gjelbër, ndërsa dy burra të tjerë shoqëronin aktin – njëri prej tyre duke regjistruar me telefon. Policia po heton gjithashtu nëse ngjarjet kanë ndonjë lidhje me qëndrime ideologjike apo urrejtje të drejtuar kundër komunitetit hebre.

Ngjarja ka shkaktuar një reagim të ashpër në opinionin publik dhe është dënuar fort nga autoritetet franceze. Ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, e cilësoi veprimin si një "akt të neveritshëm të urrejtjes" dhe theksoi se institucionet franceze janë të vendosura të luftojnë çdo formë antisemitizmi dhe ekstremizmi. "Nuk ka vend për urrejtje ndaj hebrenjve në Francë. Këto akte janë një sulm jo vetëm ndaj komunitetit hebre, por edhe ndaj vlerave të Republikës", deklaroi ai.

Edhe kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, shprehu indinjatën e saj përmes një deklarate publike ku dënoi veprimin vandal, duke e cilësuar si një përpjekje për të frikësuar dhe provokuar ndasi në një kohë kur uniteti dhe toleranca janë më të rëndësishme se kurrë. "Ne do ta pastrojmë qytetin nga urrejtja dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë në mbrojtje të kujtesës historike dhe respektit për çdo komunitet", u shpreh ajo.

Autoritetet franceze kanë nisur procedurat për hetime të mëtejshme dhe janë në bashkëpunim me autoritetet serbe për të verifikuar të kaluarën e të arrestuarve dhe lidhjet e mundshme me rrjete më të gjera ekstremiste ose ksenofobe. /Telegrafi/