Arrestohen dy persona për të shtëna me armë në një lokal në Istog – një armë dhe fishekë të sekuestruar

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë Rajonale në Pejë dhe Stacionit Policor në Istog, ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në një incident të ndodhur më 2 prill 2025 në një lokal në Istog, ku kishte të shtëna me armë zjarri dhe një person ishte lënduar.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 19:00, policia ka marrë informacion për të shtëna në një lokal dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, ka konstatuar gjurmë gjaku në dysheme dhe dëmtime të xhamave të shkaktuara nga arma. Viktima ishte dërguar për trajtim mjekësor në QKMF-Istog, ndërsa të dyshuarit ishin larguar në drejtim të panjohur.
Pas një pune intensive hetimore nga Sektori Rajonal për Hetime, më 4 prill 2025 është arrestuar personi i parë i dyshuar, ndërsa sot, më 7 prill 2025, është arrestuar edhe personi i dytë. Gjatë arrestimit të tij, policia ka sekuestruar:
Një armë zjarri – pistoletë kalibër 7.62mm
Një karikator të po së njëjtës armë
Shtatë (7) fishekë kalibër 7.62mm
Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë/Telegrafi/









































