Site icon Telegrafi

Arrestimet për patent shoferë, Durmishi: Në momentin e arrestimit asnjëri nuk ka qenë zyrtar në Qendrën për patent shofer në Pejë

Zëvendësministri i Infrastrukturës gjatë vizitës në qendrën për patent shofer në Pejë

Keqpërdorimet e shumta në Qendrën për patent shoferë në Pejë kanë rezultuar gjatë ditës së martë (sot) me   arrestimin e gjashtë zyrtarëve të këtij institucioni.

Në lidhje me këtë, Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, për Telegrafin ka deklaruar se zyrtarët e arrestuar ka disa kohë që nuk janë pjesë e Qendrës për patent shofer në Pejë, pasi sipas Durmishit të njëjtit janë zëvendësuar pas vendimit të Komisionit Hetimor respektivisht përfundimit të kontratave tre-mujore.

“Unë kam marrë informacione se janë arrestuar disa zyrtarë të cilët kanë punuar në Qendrën e patentëve në Pejë. Këta zyrtarë që kanë qenë më herët janë zëvendësuar, sepse disa janë larguar nga pozitat përmes vendimeve të Komisionit Hetimor. Disa që kanë qenë me kontrata tre mujorëshe dhe u janë shkëputur. Pra në momentin e arrestimit të gjithë këta zyrtarë nuk kanë qenë duke punuar në pozitat, të cilat i kanë pasur më herët”, është shprehur zëvendësministri Durmishi.

Lexo po ashtu Arrestimet për patentë shoferë në Pejë, policia jep detaje

Durmishi poashtu ka shtuar se të gjithë ata që shkelin ligjin duhet të marrin dënimin e merituar.

Zëvendësministri i Infrastrukturës gjatë vizitës në Qendrën për patent shofer në Pejë/ Foto Telegrafi

“Prokuroria dhe Policia kanë filluar me arrestime dhe shpresoj që kjo çështje të shkojë deri në fund dhe gjitha ata që kanë shkelur ligjin të marrin dënimin e merituar”, ka thënë Durmishi.

Ai për Telegrafin ka thënë se arsyeja e vizitës në këtë rajon ishte për shkak të hartimit të projektit për ndërlidhjen e qyteteve të Rrafshit të Dukagjinit, por sipas tij arrestimet e fundit e bënë të vizitojë Qendrën për patent shoferë në Pejë.

Exit mobile version