Personat në fjalë, që besohet se janë me origjinë somaleze dhe libaneze, u ndaluan kur qindra oficerë kryen bastisje në orët e para të mëngjesit mbi një numër shtëpish.

Policia tha se arrestimet ishin rezultat i një hetimi shtatëmujor.

Mediat vendase kanë raportuar se agjencitë e sigurisë kombëtare kishin zbuluar një komplot të dyshuar islamik për të kryer një sulm vetëvrarës mbi një bazë të ushtrisë australiane.

Ky ishte një operacion anti-terror i përmasave të mëdha, gjatë të cilit 400 oficerë policie, zbatuan 19 urdhra që mundësojnë bastisje nëpër disa banesa në Melburn.

Besohet se bastisjet kishin në shënjestër një celulë të dyshuar terroriste dhe që përbëhej nga shtetas australianë me orgjinë somaleze dhe libaneze.

Një gazetë australiane njoftoi se grupi ishte në një fazë të avancuar përgatitjes për sulmin mbi një bazë ushtarake duke përdorur armë automatike.

Gazeta njoftoi se përgjimet elektronike kishin diktuar diskutime lidhur me mundësinë e marrjes së armëve dhe se personat e arrestuar ishin parë të vëzhgonin bazën Holsworthy në perëndim të Sidnejit.

Agjencitë e sigurisë besojnë se sulmi i dyshuar planifikohej si hakmarrje ndaj pranisë së ushtrisë australiane në vende myslimane si Iraku dhe Afganistani.

Ata po hetojnë një lidhje të mundshme me grupin me bazë në Somali, Al-Shabaab, që besohet se ka lidhje me Al Qaedën. /bbc/