Apple ka hequr ICEBlock, një aplikacion që u lejonte përdoruesve të shënonin në hartë vendndodhjet ku kishin parë agjentë të Shërbimit për Imigracion (ICE).

Gjithashtu, App Store ka larguar edhe aplikacione të tjera që kishin qëllim të ngjashëm.


Sipas Fox Business, prokurorja e shtetit Pam Bondi kërkoi heqjen e tyre, duke thënë se aplikacionet "janë krijuar për të vënë në rrezik agjentët e ICE, vetëm sepse ata po bëjnë punën e tyre."

"App Store e kemi krijuar për të qenë një vend i sigurt dhe i besueshëm për të zbuluar aplikacione. Bazuar në informacionet që kemi marrë nga autoritetet ligjzbatuese për rreziqet që paraqiste ICEBlock, ne e kemi hequr atë dhe aplikacionet e tjera të ngjashme", njoftoi Apple, sipas Engadget.

Bondi kërkoi heqjen e aplikacioneve pasi FBI-ja dhe administrata raportuan se një sulmues, i cili hapi zjarr ndaj një objekti të ICE në Dallas, kishte përdorur aplikacione për gjurmim – përfshirë ICEBlock – për të qëlluar nga çatia.

Sulmuesi vrau dy emigrantë dhe plagosi një të tretë, por thuhet se në shënjestër kishte agjentët e ICE. Zhvilluesi i aplikacionit, Joshua Aron, i tha Fox Business se ishte "jashtëzakonisht i zhgënjyer" nga vendimi i kompanisë Apple.

ICEBlock arriti në krye të listave të App Store në muajin korrik, pasi zyrtarët e administratës e kritikuan publikisht, gjë që bëri që edhe më shumë njerëz të dëgjonin për të

. Në atë kohë, zyrtarët paralajmëruan Aronin se "po e ndiqnin dhe më mirë të ishte i kujdesshëm", pasi aplikacioni rrezikonte jetët e oficerëve të rendit. /Telegrafi/