Site icon Telegrafi

Anulohen fluturimet për në Bali për shkak të hirit të rrezikshëm vullkanik, që është ngritur në nëntë kilometra lartësi

Disa aviokompani kanë anuluar fluturimet drejt dhe nga Bali, për shkak të reve të rrezikshme të hirit nga një vullkan pranë ishullit indonezian.

Qantas, Jetstar dhe Virgin Australia njoftuan pasagjerët për ndërprerjet të mërkurën, duke thënë se hiri nga mali Lewotobi Laki-laki e bëri të pasigurt fluturimin.

Vullkani hodhi hirin në një lartësi prej 9 kilometrash në qiell gjatë fundjavës, një javë pasi një shpërthim i madh ia mori jetë 10 personave, transmeton Telegrafi.

Byroja e Meteorologjisë e Australisë ka paralajmëruar gjithashtu se hiri vullkanik mund të zhvendoset në pjesë të veriut të këtij vendi.

Jetstar tha se të gjitha fluturimet për dhe nga Bali deri në orën 12:00 janë anuluar. Linjat e tjera ajrore që kanë ndjekur shembullin përfshijnë Cathay Pacific të Hong Kongut, IndiGo të Indisë dhe transportuesin malajzian AirAsia.

Virgin Australia, e cila anuloi të gjitha fluturimet e saj drejt dhe nga Bali të mërkurën, tha në një deklaratë: “Siguria është gjithmonë prioriteti ynë më i lartë dhe ekipi ynë meteorologjik po monitoron nga afër situatën”. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version