Ansamble e artistë nga vendi e rajoni nderojnë Sali Bajrën në një program të veçantë në Kaçanik

Në Qendrën e Kulturës në Kaçanik është mbajtur Mbrëmja Artistike “SALI BAJRA – KRYETARI YNË”, një aktivitet i veçantë kushtuar figurës së Sali Bajrës, Kryetar Nderi i Ansamblit “Kastriotët” dhe ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut në vitet ’60.
Ngjarja u organizua me shumë dinjitet dhe emocion, duke rikthyer para publikut veprën dhe kontributin e tij të çmuar kulturor.
Programi solli një udhëtim artistik përmes këngës, valles, lahutës dhe interpretimeve skenike, ku performuan Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kastriotët”, Qendra Kulturore e Kaçanikut me vallen “Festa e bashkimit”, si dhe Ansambli “Jeta e Re” nga Sllupçani me vallen “Feniksët e Lirisë”.
Në skenë u ngjitën edhe artistët Nexhat Xhokli, Fetije Terstena, Nadire Breznica, Orkestra “Kastriotët”, Alban Luzha dhe Nazmi Hajdari. Gjatë mbrëmjes, publiku pati mundësinë të dëgjojë për herë të parë këngën e dedikuar Sali Bajrës, interpretuar nga këngëtarja Fetije Terstena. Programi u drejtua artistikisht nga Leka Feim.
Ngjarja u realizua me bashkëpunimin e Komunës së Ferizajt, Komunës së Kaçanikut dhe Ansamblit “Jeta e Re” Sllupçan, ndërsa mbështetja financiare u sigurua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kastrioti SM SHPK (Ferizaj) dhe Brickos SHPK (Kamenicë).
Mbrëmja u vlerësua si një homazh i rëndësishëm për Sali Bajrën dhe një kontribut në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke e sjellë atë para publikut me respekt dhe krenari. /Telegrafi/

















































