Asnjë parti pa shumicë në Prishtinë, analisti Bekim Salihu tregon nga sa ulëse do të ketë secili subjekt

Sipas analizës së Bekim Salihut, analist politikash në Institutin GAP, Kuvendi Komunal i Prishtinës pas zgjedhjeve ka një përbërje shumë komplekse, raporton Telegrafi.
Sipas tij LDK do të ketë 15 ulëse, PDK 12 ulëse, LVV 10 ulëse, AAK 7 ulëse, Fehmi Kupina 4 ulëse, Nisma, Guxo dhe PSD nga 1 ulëse secila.
Salihu vë në pah se krijimi i një shumice të thjeshtë prej 26 votash për të siguruar qeverisjen e kryeqytetit do të jetë sfidues.
"Në rast të fitores së Përparim Ramës, koalicioni me AAK-në dhe partitë e vogla (PSD, Guxo dhe Nisma) nuk mjafton për shumicën. Për të siguruar qeverisje stabile, Rama do të ketë nevojë ose për votat e Feim Kupinës, ose për një koalicion me “elefantët” politikë (PDK ose VV).
Ndërkaq, një qeverisje e mundshme e Hajrullah Çekut nga VV do të ketë gjithashtu sfida: edhe me një koalicion të gjerë me Kupinën, AAK-në, Nismën, PSD-në dhe Guxon, shumica e thjeshtë nuk arrihet, duke e bërë të domosdoshëm mbështetjen e PDK-së ose LDK-së", ka shkruar Salihu.
Ai ka shtuar se asnjë kryetar komune nuk mund të ndërtojë një qeverisje stabile dhe efektive pa shumicën në Kuvendin Komunal.
Salihu thekson se Kuvendi ka rol kyç në miratimin e buxhetit, planeve sektoriale dhe kapitale, si dhe në shumë çështje procedurale dhe vendimmarrëse që lidhen me ekzekutivin. /Telegrafi/

















































