Please enter at least 3 characters.

Zyrtare: Roma transferon Robinio Vaz nga Marseille

Roma ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit të ri Robinio Vaz nga Olympique Marseille.

Në njoftimin e klubit, Giallorossët konfirmuan se 18-vjeçari ka nënshkruar kontratë katërvjeçare, e vlefshme deri në qershor të vitit 2030. Vaz vjen në kryeqytetin italian si një nga talentët më premtues ofensivë të brezit të tij në Francë.

Sulmuesi i ri debutoi në futbollin profesionist në janar të vitit të kaluar nën drejtimin e Roberto De Zerbit, në një ndeshje të Kupës së Francës ndaj Lille. Më pas, ai regjistroi edhe paraqitjet e para në Ligue 1, ndërsa këtë sezon fitoi përvojë edhe në Ligën e Kampionëve.


Në total, Robinio Vaz ka zhvilluar 22 paraqitje me ekipin e parë të Marseille në të gjitha garat, duke shënuar katër gola dhe duke forcuar reputacionin e tij si një nga lojtarët më të spikatur të kategorisë U-20 në Francë.

Roma e sheh këtë transferim si një investim afatgjatë, në përputhje me strategjinë e klubit për zhvillimin e talenteve të rinj, ndërsa Vaz pritet të vazhdojë rritjen e tij në futbollin italian.


Sulmuesi do të mbajë fanellën me numrin 78 te Roma, ndërsa klubi e mbylli njoftimin me mesazhin: “Mirë se vjen në Romë, Robinio". /Telegrafi/