Please enter at least 3 characters.

Zjarri i fuqishëm në Halkidiki, evakuohen turistët

Një zjarr i madh pyjor ka shpërthyer të enjten pasdite në rajonin turistik të Halkidikisë, në veri të Greqisë, duke detyruar autoritetet të mobilizojnë forca të mëdha zjarrfikëse dhe të nisin evakuimin e banorëve dhe turistëve.

Në terren ndodhen 142 zjarrfikës dhe 51 automjete, të mbështetur nga nëntë avionë dhe shtatë helikopterë.

Zjarri po përhapet në një zonë pyjore rreth 90 kilometra në jug të Selanikut, ndërsa flakët në pyllin e dendur me pisha arrijnë deri në 20-30 metra lartësi.

Autoritetet kanë lëshuar tre urdhra evakuimi për zonat Siviri dhe Fourka, ku ndodhen shumë turistë. Në plazhin e Fourkës, dhjetëra pushues janë evakuuar përmes detit, ndërsa 15 varka të vogla janë mobilizuar për transportin e tyre. Tymi ka mbuluar qiellin mbi zonën turistike.

Sipas televizionit publik grek ERT, fronti i zjarrit është rreth tre kilometra i gjatë dhe po lëviz drejt detit. Erërat e forta po favorizojnë përhapjen e flakëve, të cilat janë afruar pranë zonave të banuara. Evakuimi ka përfshirë rreth 70 për qind të banorëve dhe vizitorëve të zonës së prekur.

Autoritetet greke kanë shpallur nivelin më të lartë të gatishmërisë për rrezikun nga zjarret në disa rajone, përfshirë Halkidikinë. Në zonat pyjore të Halkidikisë është ndaluar qarkullimi, ndërsa ekipet e emergjencës po vazhdojnë përpjekjet për të vënë zjarrin nën kontroll.

Rreziku mbetet shumë i lartë edhe të premten, kur parashikohen erëra deri në 100 kilometra në orë. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve dhe turistëve të respektojnë urdhrat e evakuimit dhe udhëzimet e mbrojtjes civile. /Telegrafi/