Please enter at least 3 characters.

​Zjarret në Shqipëri, 4 vatra aktive - angazhohen dy helikopterë

Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri bën të ditur se sipas informacionit operacional të datës 1 shtator, ora 20:00, janë raportuar gjithsej 17 vatra zjarri.

Sipas informacionit të fundit operacional, nga këto, 4 mbeten aktive, 2 janë nën mbikëqyrje dhe 11 janë shuar plotësisht.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 13 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 90 efektivë dhe 2 helikopterë.

Situata aktive paraqitet në Dajt, Vajkal, Lundre dhe Therepel. Në Dajt vijon puna në drejtim të Qafë-Priskës me 68 forca të angazhuara, pa rrezik për zonat e banuara.

Në Vajkal të Bulqizës zjarri vijon në terren shkëmbor, me mbi 13 hektarë të përshkuara dhe 48 forca të angazhuara, pa rrezik për banesat.

Në Lundre, bashkia Mat, situata favorizohet nga era, ndërsa në operacion janë angazhuar strukturat vendore, vullnetarë, 30 efektivë të FA dhe një helicopter, shkruan RTSH.

Në Therepel të Skraparit janë angazhuar forca të MZSH nga Skrapari, Berati dhe Poliçani, vullnetarë, si dhe një helikopter i FA.

Ndërkohë, vatrat në Qafën e Lugut–Vithkuq dhe malin e Qukësit–Prrenjas janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve. /KP/