Zbulohet “shtëpi bari” në Lezhë- gjenden armë, municion luftarak, kokainë dhe kanabis
Policia e Shtetit ka zbuluar armë zjarri e sportive, municion luftarak, kokainë, kanabis, ambiente të përshtatura për kultivimin të kanabisit, fara kanabisi dhe qindra bimë kanabisi të kultivuara në një ndërtesë në Lezhë.
Sipas një njoftimi bëhet e ditur se policia ka finalizuar operacioni i koduar “Second floor”.
"Zbulohen në një objekt trekatësh në fshatin Rrilë, 4 ambiente të përshtatura për kultvimin e bimëve narkotike dhe tharjen e tyre, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Sekuestrohen 8.8 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis (e tharë), 1064 bimë, 960 fidanë dhe 850 fara kanabisi, 106 llamba elektrike, 180 gramë Kokainë, 3 armë zjarri, 2 armë sportive, 1 automjet dhe 4 celularë", thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se nga hetimet dyshohet se kjo veprimtari kriminale kryhej prej disa muajsh.
"Kapen në flagrancë në këto ambiente dhe vihen në pranga 2 shtetas (babë e bir). Vihet në pranga dhe 1 punonjës i OSHEE-së, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale. Vihen në hetim 4 punonjës të tjerë të OSHEE-së, për shpërdorim detyre".
Tutje thuhet se shërbimet e Komisariatit te Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bazuar në informacionit e siguruara për një rast të kultvimit të bimëve narkotike, në një objekt në fshatin Rrilë, kanë organizuar operacionin e koduar “Second floor”.
"Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kryer kontroll në objektin 3-katësh dhe kanë kontstatuar se në katin e dytë të këtij objekti, ishin pështatur 4 ambiente për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba, dhe për tharjen e tyre, me qëllim përgatitjen për shitje. Nga verifikimet rezultoi se në këtë objekt kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë në këtë ambient dhe kanë arrestuar shtetasit: -A. Gj., 57 vjeç dhe A. GJ., 22 vjeç, babë e bir, të dyshuar si autorë të kësaj veprimtarie kriminale".


