Please enter at least 3 characters.

Yllin boshnjak e befasojnë në Gjermani, qindra tifozë e presin në rrugët e qytetit pas suksesit në Kupën e Botës

Ylli i ri i kombëtares së Bosnjës dhe Hercegovinës, Kerim Alajbegovic, është rikthyer në Gjermani pas aventurës së “Dragonjve” në Kupën e Botës, ku shkroi emrin e tij në historinë e këtij turneu.

18-vjeçari mbërriti në Koln, ku u prit nga qindra tifozë boshnjakë të mbledhur për t’i uruar mirëseardhjen. Atmosfera ishte emocionuese, ndërsa tifozët kënduan këngën e njohur “Ljiljane” të Halid Besliqit në nder të talentit të ri.

Alajbegovic foli për përvojën e tij të parë në një Kupë Bote, duke e cilësuar si një moment të paharrueshëm në karrierë.

“Hera e parë ishte absolutisht fenomenale. Nuk mund t’u besoja lojtarëve me të cilët po luaja dhe me të cilët ndaja dhomën e zhveshjes. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme të luaja për vendin tim”, deklaroi ai.


Talenti boshnjak kujtoi edhe golin e tij të shënuar ndaj Katarit, një moment historik për të dhe për kombëtaren.

“Të shënosh një gol në Kupën e Botës është diçka e veçantë për çdo lojtar. Ajo ishte ndeshja më e rëndësishme për ne në grup dhe është një ndjenjë e jashtëzakonshme kur mund të shënosh për atdheun tënd”, u shpreh Alajbegović.

Pavarësisht moshës së re, sulmuesi anësor u bë një nga protagonistët e Bosnjës në Botëror. Ai shënoi në fitoren 3-1 ndaj Katarit dhe u bë golashënuesi i tetë më i ri në historinë e Kupës së Botës.

Për më tepër, Alajbegovic vendosi edhe një rekord të veçantë, duke u bërë golashënuesi më i ri në historinë e Kupës së Botës me një gol të realizuar nga jashtë zonës së penalltisë.

Me talentin dhe paraqitjet e tij, 18-vjeçari tashmë shihet si një nga shpresat më të mëdha të futbollit boshnjak për të ardhmen. /Telegrafi/