Yan Diomande prezantohet te Real Madridi pas debutimit vendimtar
Yan Diomande është prezantuar zyrtarisht si përforcimi më i ri i Real Madridit, vetëm pak ditë pasi pati një debutim mbresëlënës me fanellën e “Los Blancos”.
Ceremonia zyrtare u zhvillua në Real Madrid City, në kompleksin stërvitor të klubit në Valdebebas.
Sulmuesi i ri u prit nga presidenti Florentino Perez, me të cilin nënshkroi marrëveshjen që do ta mbajë të lidhur me klubin madrilen për shtatë sezonet e ardhshme, deri më 30 qershor 2033.
Në ceremoninë e prezantimit ishte i pranishëm edhe presidenti nderi i Real Madridit, Jose Martinez “Pirri”.
Diomande mori dhuratat tradicionale institucionale të klubit: një kopje të Santiago Bernabeut, një orë përkujtimore, si dhe fanellën e famshme të bardhë me emrin e tij dhe numrin 25.
Prezantimi zyrtar vjen vetëm pak ditë pas debutimit të tij me Real Madridin.
Diomande u aktivizua në pjesën e dytë në sfidën ndaj Cornella, të zhvilluar të dielën e kaluar, dhe arriti të linte gjurmë menjëherë.
Sulmuesi ishte pjesë e aksionit që çoi në golin e fitores 2-1, të realizuar nga Carlos Espi, duke ndihmuar Real Madridin të siguronte suksesin e parë të sezonit.
Pas debutimit pozitiv dhe tashmë me kontratën e re të firmosur, Diomande nis zyrtarisht aventurën e tij në Madrid, me klubin që sheh te ai një investim të rëndësishëm për të ardhmen. /Telegrafi/


