Xavi kujton momentin kur i dha debutimin Yamalit: Nuk kishte frikë
Ish-mesfushori dhe trajneri i Barcelonës, Xavi Hernández, ka folur me superlativa për talentin e jashtëzakonshëm të Lamine Yamal, duke e cilësuar si një lojtar të lindur për madhështi.
Në një intervistë për mediat spanjolle, legjenda e “Blaugranëve” theksoi se e ardhmja e lojtarit të ri varet plotësisht nga ambicia dhe përkushtimi i tij.
“Lamine Yamal është një i zgjedhur; ai mund të jetë një nga gjenitë në historinë e futbollit dhe kjo varet prej tij, nga ambicia dhe pasioni i tij”, u shpreh Xavi.
Ish-trajneri i Barcelonës kujtoi gjithashtu momentin kur i dha Yamalit debutimin në ekipin e parë në moshën vetëm 15-vjeçare, duke treguar se talenti i tij ishte i dukshëm që në stërvitjet e para.
“Lamine Yamal bënte gjëra të veçanta, gjëra që i shihje vetëm te Neymar apo Messi, lojtarë të atij kalibri. E pashë të gatshëm dhe nuk kisha frikë. As ai nuk kishte frikë, nuk kishte komplekse, ishte gati të bënte diferencën”, tha Xavi me admirim.
Yamal, që tani është 18 vjeç, është shndërruar në një nga figurat më premtuese të Barcelonës dhe futbollit evropian, duke treguar pjekuri të jashtëzakonshme për moshën e tij. /Telegrafi/


