Please enter at least 3 characters.

Wenger i dërgon FFK-së një letër falënderimi dhe vlerësimi pas inaugurimit të “FIFA Talent Academy Kosova”

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka pranuar një letër falënderimi dhe vlerësimi nga Shefi i Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA, Arsene Wenger.

Futbolli i Kosovës ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tij të zhvillimit, me inaugurimin zyrtar të “FIFA Talent Academy Kosova”, një projekt i realizuar në bashkëpunim ndërmjet FFK-së dhe FIFA-s, i cili synon të krijojë mundësi të reja për identifikimin, zhvillimin dhe avancimin e talenteve të rinj.

Ceremonia inauguruese mblodhi në një vend përfaqësues të FIFA-s, drejtues të FFK-së, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, trajnerë, prindër, futbollistë e futbolliste të reja, si dhe figura të rëndësishme të futbollit kosovar dhe të gjeneratës së artë.

Pas inaugurimit, Wenger ka vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e FFK-së për themelimin e “FIFA Talent Academy Kosova”, duke ia dërguar një letër falënderimi dhe vlerësimi.

Letra e plotë

FIFA Talent Academy Kosova: Faleminderit për përpjekjet dhe bashkëpunimin tuaj të jashtëzakonshëm

I nderuar President,

Në emër të FIFA-s, dëshiroj t’ju shpreh falënderimet tona të përzemërta juve dhe të gjithëve në federatën tuaj për përkushtimin shembullor dhe bashkëpunimin e treguar në prag të themelimit të FIFA Talent Academy Kosova.

Përkushtimi juaj i palëkundur ka qenë thelbësor në avancimin e kësaj nisme. Eventi historik i mbajtur në Prishtinë është dëshmi e profesionalizmit tuaj, përsosmërisë organizative dhe pasionit për zhvillimin e futbollit. Ajo nuk ishte vetëm një festë e kësaj arritjeje të jashtëzakonshme, por edhe një moment frymëzues për të gjithë akterët e përfshirë.

Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë mbështetjen dhe burimet që keni ofruar gjatë gjithë këtij procesi, nga harmonizimi me standardet e FIFA-s e deri te prezantimi i vizionit tuaj gjatë eventit. Përpjekje të tilla e vënë në pah rolin kyç të Kosovës në zhvillimin dhe kultivimin e talenteve të futbollit, si dhe në vendosjen e një standardi për vendet e tjera.


Me kënaqësi presim që ta forcojmë edhe më tej partneritetin tonë, ndërsa ecim përpara në këtë kapitull të ri dhe emocionues. Së bashku, mund të vazhdojmë të ndërtojmë një trashëgimi të qëndrueshme për futbollin në Kosovë dhe më gjerë.

Edhe një herë, ju falënderojmë për përkushtimin dhe kontributin tuaj të jashtëzakonshëm për t’i dhënë çdo talenti në Kosovë një mundësi.

Me respekt,

Arsene Wenger

Shef i Zhvillimit Global të Futbollit

/Telegrafi/