Vuçiq thotë se institucionet shtetërore do të merren me varrimin e Mlladiqit - trupi kriminelit arrin sot në Serbi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se trupi i gjeneralit të ndjerë të Ushtrisë së Republika Srpska, Ratko Mladiq, i dënuar në Hagë për gjenocid dhe krime lufte, është marrë dhe pritet që sot të mbërrijë në Serbi.
Këtë e konfirmoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se familja pritet që në ditët në vijim të njoftojë detajet lidhur me organizimin e përcjelljes së fundit dhe procedurat e tjera, shkruan N1.
“Besoj se familja do të dërgojë një njoftim, por, me sa di, trupi është marrë dhe gjatë orëve të pasdites pritet të mbërrijë në Serbi. Besoj se djali i tij, Darko, në ditët në vijim do t’i njoftojë të gjithë për atë që dëshiron familja”, tha ai.
Lideri serb shtoi se shërbimet shtetërore të Serbisë do t’i ofrojnë familjes mbështetje logjistike dhe transportuese, por gjithashtu do të marrin masa për garantimin e rendit publik, paqes dhe sigurisë.
“Ne do të jemi aty për të ofruar çdo lloj mbështetjeje logjistike dhe transportuese, si dhe për të ruajtur rendin publik, paqen dhe sigurinë. Është shumë e vështirë të sigurohet dhe garantohet siguria për të gjithë”, tha ai.
Sipas tij, vlerësimet e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë flasin për mundësinë e pranisë së dhjetëra mijëra njerëzve.
“Do të jetë shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh vlerësimet e BIA-s, agjencisë ushtarake dhe MPB-së, të cilat flasin për dhjetëra mijëra persona që mund të jenë të pranishëm. Prandaj, duhet të sigurojmë gjithçka. Shërbimet tona kanë përpara një detyrë të vështirë dhe do të përdorim të gjitha mjetet për ta garantuar këtë”, tha Vuçiq.
Mlladiq ishte komandant ushtarak serb i Bosnjës dhe komandant i Ushtrisë së Republika Srpska (VRS) gjatë Luftës së Bosnjës, 1992–1995. Ai ishte një ndër përgjegjësitë kryesor të gjenocidit të Srebrenicës në korrik 1995, ku u vranë më shumë se 8000 meshkuj boshnjakë. /Telegrafi/


