Vitin e kaluar ka pasur 122 pacientë të sëmurë me kancer të qafës së mitrës në Maqedoni
Numri i pacienteve me kancer të qafës së mitrës është në rritje në Maqedoninë e Veriut. Sipas statistikave të fundit klinike epidemiologjike të Klinikës për Radioterapi dhe Onkologji, ndryshe nga viti 2024 kur kishte 74 pacientë, në vitin 2025 kishte 122 pacientë që u paraqitën në klinikë me këtë diagnozë për herë të parë, tha sot drejtuesja e Departamentit të Tumoreve Malinje Gjenitale tek Gratë në Klinikë, Violeta Klisarovska.
Klisarovska dhe disa ekspertë folën në ngjarjen që shënoi "Javën për Ngritjen e Ndërgjegjësimit për Luftën Kundër Kancerit të Qafës së Mitrës", të organizuar nga Shoqata Mjekësore e Maqedonisë dhe Shoqata Maqedonase për Patologji Qafës së Mitrës dhe Kolposkopi.
Drejtoresha e Klinikës për Gjinekologji dhe Obstetrikë dhe Kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Kancerit të Qafës së Mitrës, Irena Aleksioska-Papestiev, tha se sipas të dhënave të fundit nga studimi klinik i përgatitur nga Instituti i Epidemiologjisë për periudhën nga viti 2016 deri në vitin 2023, ky kancer i parandalueshëm përbën ende një problem serioz në vendin tonë, sepse gjatë asaj periudhe janë diagnostikuar 2.263 pacientë.
"Ajo që është më shqetësuese është se po ndodh tek pacientët gjithnjë e më të rinj. Pacientët më të rinj janë 18 vjeç, të diagnostikuar në vitin 2017 dhe 2020, ndërsa mosha mesatare është rreth 55 vjeç. Gjëja e dytë që është gjithashtu shqetësuese është se një përqindje e madhe, pra 540 pacientë, që janë pothuajse 24 përqind e këtyre pacientëve, kanë vdekur, për fat të keq, dhe ky është një kancer që është i parandalueshëm. Ne kemi parandalimin parësor. Qëllimi ynë është të rrisim ndërgjegjësimin e popinionit", tha Aleksioska-Papestiev.
Patologu specialist dhe drejtuesi i Laboratorit të Citologjisë në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë, Verdi Stanojeviç, tha se sipas të dhënave për vitin 2025, nga 60,000 PAP teste, 2.500 rezultuan pozitive. Është tronditëse, tha ai, që tetë pacientë kanë kancer invaziv./Telegrafi/


