Please enter at least 3 characters.

Vendimi i Qeverisë për Komisionin për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, reagim nga Gjykata Supreme

Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës ka shpreh shqetësimin e tij, lidhur me vendimin 24/11, të datës 20.04.2026, të marrë në mbledhjen e fundit të Qeverisë, për formimin e një Komisioni të ri për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, të arsyetuar me pretendime për mungesë transparence dhe ankesa ndaj Komisionit të deritanishëm.

Sipas një njoftimi thuhet se si kryetar i Komisionit të deritanishëm, vlerëson se është e domosdoshme që çdo vendimmarrje institucionale të bazohet në fakte të verifikuara, procedura të rregullta dhe në respekt të plotë të kompetencave ligjore të secilit institucion.

“Në këtë drejtim, konsiderojmë se është e papranueshme që përgjegjësia për një proces tërësisht administrativ dhe organizativ të zhvendoset në mënyrë të tërthortë tek Komisioni, në një kohë kur vetë Ministria e Drejtësisë ka dështuar të përmbushë obligimet e saj të qarta ligjore për organizimin e provimit”, thuhet në reagim.

Tutje siç thuhet në reagim tendencat ndaj komisionit kanë filluar para një viti, arsyet e dhëna nga Ministrja e Drejtësisë, për të emëruar komisionin në përbërje të re, janë absurde dhe jo të vërteta, dhe vendimi si i tillë është jo ligjor dhe kundërkushtetues.

“E vërteta e vetme në këtë mes është se unë si kryetar i Komisionit dhe anëtarët e Komisionit, nuk kemi lejuar ndërhyrje në punën e Komisionit sa i përket vlerësimit të kandidatëve, pasi kjo është në kompetencë të Komisionit. Puna e Komisionit është bazuar në dispozitat e ligjit, dhe për këtë ka pasur transparencë të plotë, ankesa e vetme nga Ministria e Drejtësisë në raport me Komisionin që na është thënë, ka qenë kalueshmëria e ulët. Për ne ka qenë e papranueshme që të ulen kriteret e vlerësimit dhe Komisioni të luajë rolin e një instrumenti në dorën e Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në reagim.

Andaj, siç thuhet në reagim emërimi i një Komisioni në përbërje të re, pa i kaluar mandati Komisionit të deritanishëm, nuk shpjegohet ndryshe përveç ndërhyrje në punën e institucioneve të pavarura, dhe kjo në vazhdën e ndërhyrjeve të vazhdueshme që Qeveria i bënë edhe në raport me Sistemin e Drejtësisë.

“Për mua personalisht dhe për anëtarët e Komisionit integriteti dhe pavarësia në ushtrimin e profesionit edhe si anëtar i Komisionit, nuk janë parime që shkruhen vetëm në letër, por janë parime që duhet t’i ushtrojmë në çdo veprim tonin. Ne mbetemi të përkushtuar për sundimin e ligjit, funksionimin e pavarur të institucioneve dhe mbrojtjen e interesit publik”, thuhet në reagimin e Gjykatës Supreme. /Telegrafi/