Vdiq në moshën 80-vjeçare - historia e legjendës Dolly Parton që la gjurmë në muzikë dhe Hollywood
Dolly Parton ishte një nga figurat më të mëdha të muzikës country dhe një prej artisteve më të suksesshme amerikane të të gjitha kohërave.
E lindur më 19 janar 1946 në Tennessee, ajo u rrit në një familje të varfër me 12 fëmijë.
Që në moshë të vogël nisi të këndonte në kishë dhe të shkruante këngë, ndërsa kitara u bë një nga mjetet e para përmes të cilave shprehu talentin e saj.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, në vitin 1964 u zhvendos në Nashville, qendrën e muzikës country, për të ndjekur ëndrrën e saj.
Fillimisht shkroi këngë për artistë të tjerë, përpara se të fitonte famë si pjesë e emisionit “The Porter Wagoner Show”.
Ky bashkëpunim e ndihmoi të siguronte kontratë diskografike dhe të niste karrierën si artiste solo.
Në vitet ’70, Parton u shndërrua në një prej yjeve më të mëdhenj të country-t.Këngë si “Jolene”, “9 to 5”, “Coat of Many Colors” dhe “I Will Always Love You” u kthyen në hite dhe e vendosën emrin e saj në historinë e muzikës.
“I Will Always Love You” u bë veçanërisht e famshme kur Whitney Houston e interpretoi për filmin "The Bodyguard" në vitin 1992.
Versioni i Houston e ktheu këngën e shkruar nga Parton në një hit global dhe një prej baladave më të njohura në historinë e muzikës.Por karriera e Dolly Parton nuk u kufizua vetëm te muzika.
Ajo u shqua edhe si aktore, producente, biznesmene dhe filantrope, duke luajtur në filma të njohur dhe duke ndërtuar projekte të shumta jashtë skenës.
E njëjta krijoi gjithashtu Dollywood, një prej parqeve tematike më të njohura në SHBA.
Një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së saj lidhet me punën bamirëse.
Përmes 'Dolly Parton’s Imagination Library', ka mbështetur miliona fëmijë duke u ofruar libra falas dhe duke promovuar leximin dhe edukimin.
Gjatë dekadave të karrierës, Parton fitoi çmime të shumta Grammy dhe u përfshi në 'Country Music Hall of Fame', duke u konsideruar jo vetëm si një ikonë e country-t, por si një prej kompozitoreve më të rëndësishme të muzikës amerikane.
Jeta e saj u karakterizua nga një kombinim i rrallë i talentit, punës, humorit dhe ambicies.
Nga një vajzë që u rrit në varfëri në malet e Tennesseet, Dolly Parton u shndërrua në një ikonë botërore, duke lënë pas këngë që vazhdojnë të dëgjohen dhe një trashëgimi që shkon shumë përtej muzikës. /Telegrafi/


