Vazhdon ndërtimi i urës së tretë mbi lumin Ibër, Basha: Po e lidhim veriun me jugun
Po vazhdon realizimi i projektit për ndërtimin e urës së tretë mbi lumin Ibër, një investim që sipas përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje synon të forcojë lidhjen mes qytetarëve dhe të nxisë zhvillimin ekonomik në të dy anët e lumit.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha ka bërë të ditur se punimet në këtë projekt po avancojnë dhe se infrastruktura e re do të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit dhe integrimit mes veriut dhe jugut të vendit.
“Ura e tretë mbi lumin Ibër po realizohet, duke forcuar lidhjen ndërmjet qytetarëve dhe mundësinë e zhvillimit të ekonomisë në të dy anët e lumit. Punët tona po e lidhin edhe më shumë veriun me jugun”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, debati politik rreth veriut tashmë nuk është nëse Kosova po ndahet, por se sa po afrohen pjesët e saj përmes projekteve infrastrukturore.
Basha ka theksuar se qeveria do të vazhdojë me projekte të ngjashme që synojnë, siç u shpreh, zhvillimin dhe integrimin e plotë të territorit të Kosovës. /Telegrafi/


