Please enter at least 3 characters.

UEFA hap procedura disiplinore kundër dy yjeve të Fenerbahces

UEFA ka nisur procedurë disiplinore ndaj mesfushorit të Fenerbahçes, Matteo Guendouzi, dhe sulmuesit Mason Greenwood, pas përplasjes së tensionuar në përfundim të ndeshjes së kthimit të play-off-it të Ligës së Kampionëve ndaj Lyonit.

Fenerbahçe triumfoi 2-1 në Francë dhe siguroi kualifikimin në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve, me rezultat të përgjithshëm 3-2.

Megjithatë, pas vërshëllimës së fundit situata doli jashtë kontrollit, teksa lojtarë dhe pjesëtarë të stafit të të dyja skuadrave u përfshinë në një përplasje masive në fushë.

Guendouzi ishte në qendër të incidentit pasi u duk se provokoi tifozët e Lyonit gjatë festimit të kualifikimit të Fenerbahçes.

Mesfushori francez më vonë shpjegoi se reagimi i tij erdhi si përgjigje ndaj fyerjeve të pretenduara nga tifozët, të cilat, sipas tij, kishin të bënin me familjen e tij.

Fenerbahçe ka konfirmuar se UEFA ka hapur procedurë disiplinore ndaj Guendouzit, Greenwoodit dhe vetë klubit turk për ngjarjet e ndodhura pas ndeshjes.

Klubi ka bërë të ditur se do t’i paraqesë UEFA-s argumentet e tij dhe dokumentet e nevojshme në kuadër të procesit disiplinor.

Tashmë mbetet të shihet se çfarë masash do të marrë UEFA ndaj lojtarëve dhe klubit, ndërsa vendimi përfundimtar pritet pas shqyrtimit të rastit nga organet përkatëse disiplinore. /Telegrafi/