Please enter at least 3 characters.

Tri shenja se fëmija ka vetëbesim të ulët – prindërit shpesh nuk i vërejnë

Vetëkritika, krahasimi me të tjerët dhe ndryshimet në gjuhën e trupit mund të tregojnë se fëmija po lufton në heshtje me pasigurinë

Çdo prind dëshiron që fëmija i tij të rritet i lumtur, i sigurt në vete dhe i gatshëm për t’u përballur me sfidat. Megjithatë, jo gjithmonë është e lehtë të kuptohet se fëmija po përballet me vetëbesim të ulët.

Trajnerja e rezistencës psikologjike, Cindra Kamphoff, veçon tri shenja paralajmëruese që prindërit nuk duhet t’i shpërfillin.

1. Flet vazhdimisht keq për veten

Një nga shenjat më të dukshme është kur fëmija e kritikon shpesh veten ose fajësohet gjatë pas një dështimi.

Shprehje si: “Unë nuk vlej për asgjë” ose “Asgjë nuk më shkon mirë” tregojnë se fëmija po e lidh një gabim me vlerën e tij si person.

Në vend që vëmendja të mbetet vetëm te dështimi, prindërit duhet ta ndihmojnë të kuptojë se çfarë mund të mësojë nga përvoja. Kështu, ai mëson se gabimet janë pjesë normale e rritjes dhe mundësi për përmirësim.

2. Krahasohet vazhdimisht me të tjerët

Krahasimi me bashkëmoshatarët është pjesë e zakonshme e rritjes. Problem bëhet kur fëmija mendon vazhdimisht se të tjerët janë më të mirë, më të suksesshëm ose më të bukur se ai.

Prindërit mund ta ndihmojnë duke e orientuar drejt qëllimeve personale dhe gjërave që varen nga përpjekja e tij, në vend që ta masë vlerën e vet vetëm në raport me të tjerët, transmeton Telegrafi.

3. Ndryshon gjuha e trupit dhe i mungon energjia

Fëmija mund të mos thotë hapur se ndihet i pasigurt, por trupi i tij mund ta tregojë këtë.

Supet e përkulura, shmangia e kontaktit me sy, buzëqeshja më e rrallë dhe mungesa e energjisë mund të jenë shenja se ai po përballet me mendime negative për veten.

Nuk ndihmojnë shprehjet si “Gëzohu” ose “Nuk është asgjë”. Më e dobishme është që fëmija të ndihmohet ta njohë dhe ta emërtojë emocionin.

Mund të përdoret edhe metoda e thjeshtë:

  • Ndalo – bëj një pauzë të shkurtër;
  • Qetësohu – merr disa frymë thellë;
  • Reago – pasi të qetësohesh, mendo si dëshiron të veprosh.

Aftësia për t’i rregulluar emocionet ndihmon në zhvillimin e vetëbesimit dhe në përballimin më të mirë të presionit.

Prania e një prej këtyre shenjave nuk do të thotë domosdoshmërisht se fëmija ka problem serioz. Megjithatë, është e rëndësishme të bisedoni me të dhe t’i ofroni mbështetje. Nëse sjellja vazhdon për një kohë të gjatë ose ndikon në jetën e përditshme, rekomandohet këshillimi me psikologun e fëmijëve. /Telegrafi/