Please enter at least 3 characters.

Tragjedi në Indi, rrëzimi i shkëmbinjve vret 13 persona

Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në veri të Indisë, ku rrëzimi i masiveve të mëdha shkëmbore mbi një autostradë ka shkaktuar vdekjen e 13 personave, përfshirë një foshnje vetëm gjashtë muajshe.

Ngjarja ka ndodhur në shtetin Himachal Pradesh, ku gurë të mëdhenj u shkëputën nga mali dhe ranë mbi rrugën kryesore.

Një taksi, e cila po udhëtonte në atë moment, mbeti e bllokuar nën rrënoja, shkruajnë mediat.

Sipas raportimeve të mediave indiane, 13 persona humbën jetën si pasojë e goditjes dhe dëmtimeve të shkaktuara nga shkëmbinjtë. Një tjetër person i plagosur u nxor i gjallë nga rrënojat dhe u dërgua në spital për trajtim.

Pas aksidentit, autoritetet bllokuan përkohësisht qarkullimin në autostradë, ndërsa ekipet e shpëtimit dhe të mirëmbajtjes po punojnë për largimin e gurëve dhe pastrimin e rrugës.

Shkëputjet e shkëmbinjve dhe rrëshqitjet e dheut janë fenomene të shpeshta në zonat malore të Himachal Pradesh, veçanërisht gjatë periudhave me reshje të dendura. /Telegrafi/