Please enter at least 3 characters.

Totaj deklaron pasurinë, të hyra të larta nga qiraja dhe asnjë detyrim financiar

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka dorëzuar deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin 2026 në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Sipas dokumenteve të publikuara, profili financiar i tij paraqet stabilitet, i mbështetur kryesisht në pasuri të paluajtshme dhe të hyra të konsiderueshme nga qiraja dhe pagat familjare.

Pasuritë e paluajtshme, truall dhe objekt afarist

Në regjistrin e pasurisë së paluajtshme, Totaj ka deklaruar dy asete kryesore, me vlerë të përgjithshme rreth gjysmë milioni euro:

  • Një truall prej 2.21 ari, i blerë në vitin 2005, me vlerë të vlerësuar prej 300,000 eurosh
  • Një objekt afarist me sipërfaqe prej 680.06 metra katrorë, i ndërtuar në vitin 2006, me vlerë prej 200,000 eurosh

Sipas deklarimit, këto pasuri janë siguruar nga mjetet e përfituara prej shitjes së shtëpisë së trashëguar nga prindërit.

Pasuria e luajtshme dhe paraja e gatshme

Sa i përket mjeteve të transportit, Totaj ka deklaruar:

  • Një veturë të tipit Audi, të blerë në vitin 2024 në vlerë prej 25,000 eurosh
  • Një veturë tjetër në vlerë prej 19,000 eurosh, e regjistruar në emër të fëmijëve

Sipas dokumentit, vetura “Audi” është financuar përmes ndërrimit me automjetin e mëparshëm dhe shtesës në para.

Në institucionet bankare, ai ka deklaruar kursime në vlerë prej 34,054.73 eurosh, të cilat janë akumuluar nga të hyrat vjetore.

Të hyrat vjetore, qiraja tejkalon pagën e kryetarit

Një pjesë e konsiderueshme e të hyrave të Totajt vjen nga dhënia me qira e pasurisë së paluajtshme:

  • 17,372.88 euro paga neto si kryetar i Komunës
  • 36,948.00 euro të hyra nga qiraja e patundshmërisë
  • 1,218.00 euro mëditje për udhëtime zyrtare brenda vendit

Po ashtu, të hyra të konsiderueshme janë deklaruar edhe nga anëtarët e familjes që jetojnë në bashkësi familjare, ku fëmijët kanë realizuar mbi 39,000 euro nga angazhime në agjenci marketingu, biznes privat dhe buxheti i shtetit.

Angazhimet tjera

Përveç funksionit si kryetar i Komunës së Prizrenit, Totaj ka ushtruar edhe detyrën e kryetarit të degës së PDK-së në Prizren deri në prill të vitit 2024, për të cilën ka deklaruar se ka qenë angazhim vullnetar.

Sipas deklarimit të pasurisë, ai nuk ka regjistruar asnjë detyrim financiar ndaj bankave apo institucioneve të tjera. /Telegrafi/