Please enter at least 3 characters.

Tentuan të ikin, goditën zyrtarët gjatë ndalimit – Policia përdori armë, gjatë kontrollit u gjetën tre kilogramë marihuanë

Policia e Kosovës ka realizuar një operacion në Prishtinë, gjatë të cilit janë sekuestruar rreth 3 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, dy automjete dhe dy telefona celularë.

Sipas Policisë, operacioni është zhvilluar më 11 gusht 2026 nga Sektori Qendror për Hetimin e Narkotikëve (SQHN), pas informacioneve se dy automjete me targa vendore po transportonin substanca narkotike nga Prishtina në drejtim të Mitrovicës.

Gjatë tentativës për ndalimin e automjeteve, të dyshuarit nuk u janë bindur urdhrave të zyrtarëve policorë dhe, sipas Policisë, kanë goditur zyrtarët në uniformë.

Për neutralizimin e rrezikut, zyrtarët policorë kanë përdorur armën e zjarrit si pajisje zyrtare, ndërsa automjetet e dyshuara më pas janë ndaluar nga njësitë policore.

Gjatë kontrollit në njërën prej automjeteve është gjetur dhe sekuestruar rreth 3 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Në kuadër të operacionit, Policia ka realizuar gjithsej tri bastisje në lokacione të ndryshme. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar edhe 0.7 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, dy automjete dhe dy telefona celularë, të cilat konsiderohen prova relevante për rastin.

Policia ka njoftuar se për të gjitha veprimet operative është informuar prokurori kompetent.

Me urdhër të prokurorit, personat e dyshuar, pas arrestimit dhe procedurave të tjera ligjore, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Rasti është duke u trajtuar nga njësitë përkatëse policore në koordinim me organet e drejtësisë./Telegrafi.