Tensionet rriten në Paqësor - Putin viziton ishujt japonez, Rusia me pretendimet të reja territoriale
Japonia ka reaguar ashpër ndaj vizitës së presidentit rus, Vladimir Putin në ishullin Etorofu, pjesë e arkipelagut Kuril, të cilin Tokio e konsideron pjesë të Territoreve Veriore të Japonisë.
Kryeministrja Sanae Takaichi e cilësoi vizitën si “absolutisht të papranueshme” dhe tha se ajo bie ndesh me qëndrimin e vazhdueshëm të Japonisë për sovranitetin mbi ishujt.
Takaichi deklaroi se Territoret Veriore janë pjesë e territorit japonez si historikisht, ashtu edhe sipas së drejtës ndërkombëtare.
Sipas saj, vizita e presidentit rus “lëndon ndjenjat e popullit japonez” dhe përbën një veprim të papranueshëm nga Tokio.
Ishulli Etorofu, i njohur si Iturup në Rusi, është një nga katër ishujt jugorë të Kurileve që kontrollohen nga Rusia, por pretendohen nga Japonia.
Mosmarrëveshja territoriale daton nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe ka penguar prej dekadash nënshkrimin e një traktati formal paqeje mes dy vendeve.
Gjatë vizitës, Putin u takua me banorë dhe zyrtarë lokalë, si dhe vizitoi një shkollë, një spital dhe një fabrikë për përpunimin e peshkut. Kjo ishte vizita e parë e presidentit rus në ishujt e kontestuar, duke shkaktuar një protestë të menjëhershme diplomatike nga Japonia.
Takaichi paralajmëroi se vizita mund të përkeqësojë më tej marrëdhëniet mes Tokios dhe Moskës.
Ajo tha se pas pushtimit rus të Ukrainës, marrëdhëniet dypalëshe ndodhen tashmë në një situatë të vështirë dhe se ky veprim ka forcuar më tej ndjenjat antiruse në Japoni, duke e bërë më të vështirë përmirësimin e marrëdhënieve në afatmesëm dhe afatgjatë.
Në shenjë proteste, ministri i Jashtëm japonez Toshimitsu Motegi thirri ambasadorin rus në Tokio. Moska, ndërkohë, ka mbrojtur sovranitetin e saj mbi ishujt dhe e ka kundërshtuar qëndrimin e Japonisë. /Telegrafi/


