Please enter at least 3 characters.

Tension pas eliminimit nga Kupa: Shaqiri përplaset me tifozin e Baselit

Eliminimi dramatik i FC Basel në çerekfinalen e Kupës kundër St. Gallen ka lënë gjurmë të mëdha te kampionët në fuqi. Gol i Carlo Boukhalfas në minutën e 93-të i dha fund rrugëtimit të Baselit në Kupë, duke reflektuar një sezon të vështirë për skuadrën, larg nivelit të sezonit të kaluar.

Pas përfundimit të ndeshjes, atmosfera ishte e rënduar. Teksa lojtarët po falënderonin tifozët që kishin udhëtuar për t’i mbështetur, një prej tyre i shprehu hapur pakënaqësinë kapitenit Xherdan Shaqiri.

Kapiteni i Baselit reagoi duke u përfshirë fillimisht në një diskutim në fushë, por më pas situata u qetësua dhe Shaqiri u pa duke buzëqeshur për incidentin.

“Kjo është pjesë e futbollit. As nuk më kujtohet çfarë tha ai”, u shpreh Shaqiri pas ndeshjes.

“Askush nuk është i lumtur kur humbasim, kjo është e kuptueshme. Por nuk ndihmon të krijosh tension. Duhet të qëndrojmë të bashkuar”, shtoi ai.

Pavarësisht zhgënjimit, Shaqiri pati edhe fjalë respekti për kundërshtarin. “Edhe ky është futbolli. St. Gallen e meritoi fitoren, ata ishin më të mirë”, deklaroi kapiteni.

Pas eliminimit nga Liga e Evropës dhe tashmë edhe nga Kupa, FC Basel ndodhet në një fazë të vështirë të sezonit. “Tani duhet të punojmë shumë për t’u rikthyer në rrugën e fitores”, përfundoi Shaqiri. /Telegrafi/




https://www.tiktok.com/@besi.v1/video/7603128996414360854?is_from_webapp=1&sender_device=pc&web_id=7453574332313650694